11 minibashkitë e kryeqytetit në konflikt për kompetencat me bashkinë qendrore. Prej 3 vjetësh kryetarët e minibashkive i kërkojnë kryebashkiakut Rama dhe këshillit bashkiak që të zbatojë ligjin për njësitë bashkiake i cili jep kompetenca të vecanta por që sipas tyre deri tani askush nuk ua ka vënë veshin. Rreth një muaj më parë 11 kryetarët e minibashkive janë takuar dhe me ministrin e Pushtetit Vendor Ben Blushi për këtë problem, ndërkohë që dje me anën e një letre i kanë shprehur edhe kryeministrit Nano shqetësimin e tyre. Fatmira Veizi kryetarja e Shoqatës së Minibashkive shpjegon se njësive bashkiake iu është lënë në dispozicion një buxhet minimal, ndërkohë që nuk kryejnë funksionin që ju takon me ligj pasi është bashkia qendrore ajo që luan të gjitha rolet.
Fatmira Veizi: “Ky ligj i ndan disa gjëra për ne dhe për Bashkinë e Tiranës. Secili na jep të drejtën e administrimit të parqeve, lulishteve, shkollave, terreneve sportive. Faktikisht i ka bashkia qendrore dhe ne kërkojmë zbritjen e këtyre kompetencave në mënyrë që t’i vijmë sa më në ndihmë komunitetit dhe ndërkohë të bëhen realitet gjithë këto projekte që ju i shikoni këtu, që neve i kemi premtuar komunitetit që do t’i bëjmë.”
Ndërkohë që nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës Mimi Kodheli cilëson si të padrejta kërkesat e minibashkive.
Mimi Kodheli: “Problemi është që ligji është për mendimin tim, është ndërtuar shumë drejt dhe e rëndësishme është që të kuptojmë diçka, që asnjëherë dhe për asnjë arsye njësitë bashkiake nuk kanë hasur pengesa pranë administratës sonë për të realizuar projekte pilot. Sipas meje, kërkesat e tyre janë të padrejta, por kjo nuk do të na pengojë që ne me takime të herë mbas hershme të drejtpërdrejta në komunikimin tonë të drejpërdrejtë të mund të sqarojmë këtë, këtë, këtë situatë që mendoj për mendimin tim është një situatë e krijuar fiktivisht. /tvklan.al