Spektakli i fishekzjarreve në të gjithë vendin në natën e ndërrimit të viteve ka shkaktuar edhe incidente, ku për pasojë 19 persona kanë mbetur të lënduar.

Fatmirësisht asnjëri prej tyre nuk ka patur probleme serioze dhe pasi kanë marrë ndihmë mjekësore në spital, janë rikthyer në banesën e tyre.

16 prej të lënduarve nga përdorimi i lëndëve piroteknike janë regjistruar vetëm në Tiranë, aty ku qytetarë të shumtë kaluan momentet e fundit e vitit që lamë pas.

Për të garantuar mbarëvajtjen e aktiviteteve festive të programuara në kryeqytet, por jo vetëm, Policia e Shtetit kaloi në gatishmëri të përforcuar ku në terren krahas strukturave të rendit kishte dhe agjentë të krimeve.

Krahas incidenteve të shkaktuara nga fishekzjarret, në Tiranë u raportua dhe për një të plagosur me armë zjarri.

Sipas policisë, bëhet fjalë për një 20-vjeçar, i cili është paraqitur në orët e para të mëngjesit në Spitalin e Traumës i dëmtuar lehtë në këmbë me armë zjarri.

I riu ka lënduar këmbën teksa qëndronte në oborrin e banesës, dëmtim ky që dyshohet se i ka ardhur si pasojë e rënies së lirë të një plumbi.

Tv Klan