Policia e Tiranës ka arrestuar dy persona pasi tregtonin ilaçe kontrabandë. Në depon farmaceutike të njërit prej të arrestuarve u gjetën sasi medikamentesh të cilat nuk kishin pullën fiskale nga Agjencia Kombëtare e Barnave.
Gjatë kontrollit policia në kuadrin e provave materiale ka sekuestruar barnat e kontrabanduara, disa pajisje mjekësore dhe dentare në vlerën e 17 mijë Eurove. Materialet iu dërguan Prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore.
“Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, finalizoi operacionin policor “Medikament”. Strukturat e hetimit të krimit ekonomik e financiar dhe Operacioneve Speciale në DVP Tiranë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra të ndryshme, arrestuan shtetasit E. H., 46 vjeç, dhe Q. H., 35 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Gjatë kontrollit të ushtruar në farmacinë e shtetasit E. H., dhe gjatë kontrollit të ushtruar në një depo të shtetasit Q. H., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, sasi të konsiderueshme medikamentesh mjekësore, pa pullë fiskale nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, dhe pajisje dentare, me vlerë rreth 17000 euro. Materialet i kaluan Prokurorisë,” njoftuan blutë e Tiranës.
/tvklan.al