Gjermania po studion politika për të tërhequr pensionistët në punë. Gazetarja e “Deutsche Welle”, Lindita Arapi shpjegon për “Aldo Morning Show” në Tv Klan se përveç mungesës së fuqisë punëtore, nevojiten edhe punonjësit me përvojë në pozicione të ndryshme.
Disa kompani kanë aplikuar politika të tilla ku pensionistët nuk punojnë me orar të plotë dhe tashmë edhe qeveria po mendon të ofrojë të njëjtën gjë.
Lindita Arapi: Ministri gjerman i Ekonomisë thotë për ata që do të punojnë edhe pas moshës së pensionit, kontributet e sigurimeve shoqërore, disa lloje kontributesh pra do të jepen direkt si rrogë dhe nuk do të mbahen nga punëdhënësi. Ndërsa opozita e CDU-së ka një ide tjetër, akoma ndoshta më joshëse për pensonistët, thotë kush do të punojë pas moshës 67 vjeç, të mos harrojmë në Gjermani mosha e pensionit është 67 vjeç, ai mund të marrë 2000 Euro në muaj pa asnjë tatim, pra nga 2000 Euro e lart pastaj të tatohet.Pra, janë disa stimuj në mënyrë që njerëzit të kthehen, edhe disa pensionistë.
Dëshira për t’iu rikthyer punës dhe fuqia fizike do të jenë dy faktorët që do të ndikojnë në rikthimin e pensionistëve në punë. Veç të tjerash, gazetarja përshkruan edhe një panoramë të përgjithshme të numrit të pensionistëve dhe kritereve që përcaktojnë pensionet.
Lindita Arapi: Gjermania ka 22 milionë pensionistë gjithsej, një shifër shumë e lartë. Mos të harrojmë që popullsia është me të vërtetë, që është edhe një problem demografik, në plakje. Pensioni është një çështje është në të vërtetë individuale sa vite ke punuar, lloji i punës që ke bërë, sa kontribute ke dhënë, duhen marrë të gjitha këto parasysh.
Por po të flasim për një gjë mesatare, ti ndoshta do të habitesh por Gjermania nuk ka pensione shumë të larta krahasuar me disa vende të tjera europiane. Nëse ke 45 vite, pensioni është mesatarisht 1600 Euro bruto. Ka dallime të mëdha nga landi në land, ka lande që i kanë pensionet më të mira në Gjermani por ka dallime shumë të mëdha mes burrave dhe grave në Gjermani. Nëse femrat kanë qenë vite të tëra, kanë rritur fëmijët, kanë punuar shumë pak orë, pra kanë kontribuar pak te pensionet, ato e kanë pensionin më të ulët.
Arapi shton se disa shërbime shëndetësore janë të rimbursuara, ndërsa në rast se një pensionist nuk arrin dot minimumin e jetesës prej 945 Euro në muaj, mund të kërkojë ndihmë nga shteti./tvklan.al