Ministria e Brendshme ka publikuar ekstraktin e parë të listës se votuesve për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit 2025. Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, të drejtën e votës e gëzojnë 3,721,116 shtetas. Ministri Hoxhaj u bëri thirrje 4,536 shtetasve, mbi 100 vjeç që të paraqiten pranë zyrave të Gjendjes Civile, për t’u përfshirë në listën e zgjedhësve.
Gjithashtu, në këtë kuadër Ministria e Brendshme dhe Ministria e Drejtësisë kanë miratuar një akt të përbashkët, për pastrimin e listave nga shtetasit që ligji për Dekriminalizimin i përjashton nga e drejta e votës, si dhe hapjen e qendrave të votimit në institucionet e vuajtjes së dënimit. Për herë të parë në historinë e zgjedhjeve parlamentare në vend, në listat zgjedhore do të përfshihen zgjedhësit që jetojnë jashtë vendit.
Kjo listë paraprake do të jetë publike në 9 mars 2025 dhe çdo shtetas do të ketë në dispozicion 48 orë për të shprehur vullnetin përfundimisht nëse duan të votojnë brenda apo jashtë Shqipërisë.
Data 11 janar shënon fillimin e procesit të regjistrimit të votuesve jashtë Shqipërisë nëpërmjet Platformës Elektronike të Regjistrimit në të cilën mund të hyhet nga aplikacioni i KQZ.
Hoxha apeloi çdo shtetas shqiptar që jeton jashtë vendit, të rinovojë dokumentet e identifikimit. Për regjistrimin atyre u nevojitet një pajisje elektronike për verifikimin nëpërmjet fotografimit të fytyrës për regjistrimin në PER dhe skanimin apo fotografimin e dokumentit të identifikimit dhe të dokumentit tjetër të deklarimit të adresës.
Sipas Ministrit të Brendshëm aplikimi për një dokument identifikimi do të realizohet edhe në zyrat konsullore. Ai ftoi qytetarët që të verifikojnë të dhënat personale në listën zgjedhore.
Klan News