Rreth 3 mijë është numri i emigrantëve të paligjshëm nga vende në konflikt, të kapur nga Policia e Shtetit nga muaji Janar deri në mesin e muajit Korrik. Ata kryesisht hyjnë nga kufiri me Greqinë dhe kanë si qëllim kalimin drejt Malit të Zi dhe më pas Europën Perëndimore. Pjesa më e madhe e emigrantëve që vijnë janë kryesisht nga Siria dhe Afganistani. Ata hyjnë në territorin shqiptar nga zonat përreth Kapshticës dhe fshatrave, Kakavijë dhe Glinë në Gjirokastër, ndërsa në Korçë pikat hyrëse janë fshatrat Vernik dhe Trestenik.
Grupet e klandestinëve janë të organizuar dhe udhërrëfyesi i tyre është shqiptar. Nga Korça apo Gjirokastra dhe deri në kufi me Malin e Zi, emigrantët paguajnë nga 1500 deri 2000 mijë euro. Ndërsa deri në vendin ku duan të shkojnë shifra shkon në 4 apo 5 mijë euro.
Pjesa më e madhe e emigrantëve që kapen në kufirin shqiptar janë akomoduar në qendrën e azilkërkuesve në Babrru, këtu në kryeqytet. Për të parandaluar fluksin e emigrantëve që hyjnë nga Greqia në Shqipëri, Frontex do të vendosë 45 oficerë në kufi. Ekspertët kanë identifikuar një rrugë të re që ndjekin refugjatët nga Greqia veriore, përmes Shqipërisë dhe Malit të Zi, Bosnje Hercegovinës, Kroacisë dhe Serbisë.
Në gjuhën teknike të ekspertëve ajo quhet rruga bregdetare e Ballkanit. Kjo linjë u aktivizua pas mbylljes së kufijve të Maqedonisë dhe Hungarisë. Në këto shtete ku kalojnë emigrantët e paligjshëm janë vendosur mesatarisht 1500 roje bregdetare për vitin 2018, çka përbën 5-fishin e shifrës së 2015.
Tv Klan