3 të vdekur dhe 87 të plagosur është bilanci i sulmeve ajrore izraelite pasi aeroplanët luftarakë goditën rebelët Huthi në afërsi të portit Hodeidah të Jemenit. Si pasojë e sulmeve ajrore që kishin në shënjestër një objekt magazinimi të naftës dhe termocentralin në qytetin port të Hodeidah, shumë prej të plagosurve kanë pësuar djegie të rënda.
Zëdhënësi i ushtrisë izraelite tha se aeroplanët luftarakë F-15 vunë në shënjestër portin, pasi sipas tyre ai përdorej nga Huthët për të marrë armë nga Irani. Menjëherë pas këtij sulmi, Këshilli Suprem Politik i Huthëve u shpreh se do të kundërpërgjigjet ndaj Izraelit.
Por kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, teksa konfirmoi udhëtimin e tij drejt Shteteve të Bashkuara iu drejtua me një mesazh atyre që i cilëson armiq të Izraelit, duke i paralajmëruar se kushdo që i dëmton do të paguajë një çmim shumë të lartë për agresionin.
Kundërpërgjigja e Izraelit erdhi pasi huthët, grup i mbështetur nga Irani lëshuan një dron Iranian Samad-3 në qendër të Tel Avivit të premten, ku mbeti i vrarë një person dhe u plagosën dhjetra të tjerë. Sakaq, Irani ka dënuar sulmet ajrore Izraelite në Jemen, duke bërë përgjegjës për pasojat e rreikshme Izraelin dhe aleatët e tij në Washington.
Përmes zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme, Teherani zyrtar paralajmëroi mundësinë e një lufte më të gjerë rajonale për shkak të aventurizmit të rrezikshëm të Izraelit.
Tv Klan