Rrëmbimi i një fëmije 3-vjeçar në qytetin e Durrësit nga gjyshërit e tij, ishte padyshim një ndër ngjarjet që mbajti në ankth jo vetëm nënën e tij, por mbarë opinionin publik javën që lamë pas. Ishte pikërisht 23-vjeçara Ile Gjuni, e cila e dëshpëruar për të gjetur të birin iu drejtua policisë, por edhe medias.
Të shtunën e 13 Prillit, gjyshërit e morën nipin si zakonisht, për të mos e kthyer më. Makthi zgjati një javë dhe në fund, gjyshja e ktheu nipin tek nëna e tij. E teksa opinioni publik iu bashkua akthit e dhimbjes së nënës së re, e cila kërkonte të birin, të paktë ndoshta ishin ata që menduan se çfarë kaloi 3-vjeçari, apo sesi e gjithë kjo ngjarje ndikoi tek ai.
Për pediatren Lira Gjika, kjo është një mendësi e gabuar e shoqërisë tonë, ku fëmija trajtohet si kukull dhe askujt nuk i shkon ndërmend përjetimi që mund të ketë i vogli. Ky, sipas pediatres, është dëmi më i madh që bëhet.
“Të gjithë merren me nënën duke harruar fëmijën dhe kjo është ajo që më bën përshtypje, që flitet vetëm për nënën. Natyrisht që është një vuajtje e madhe për të, por çfarë i ndodh një fëmije? Askujt nuk i shkon ndërmend që një fëmijë rrëmbehet, bëhet zhurmë e madhe gjithandej dhe fëmija sikur s’merr vesh. Ky është edhe dëmi më i madh që bëhet. Sepse ne themi kalamajtë nuk kuptojnë. Kundër kësaj tradite, mendësie, duhet të luftojmë të tërë. Është luftë, jo shaka. Pse është luftë? Sepse ne themi s’e nuk kupton fëmija. S’e nuk e merr vesh ky që ishte vetëm dhe ndodhin këto, ky është kalama e rris unë, s’e dua unë, s’e nuk e mban mend mamanë. Edhe në mënyrën si trajtohet problemi, trajtohet sikur fëmija është një kukull dhe ta vendosësh kudo. Prandaj do kujdes. Natyrisht një nënë që të humbë fëmijën, është humbja më e madhe. Por ama në bazë të ligjit është në interesin më të lartë të fëmijës”, tha Gjika./tvklan.al