Rama: Përballojmë më mirë fluksin e rasteve me Covid
36 autoambulanca moderne i janë shtuar flotës së autoambulancave të Urgjencës Kombëtare për përballimin e pandemisë. Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu theksuan se ky investim i qeverisë shqiptare finalizon programin e transformimit të flotës së Urgjencës Kombëtare Mjekësore, duke e kthyer në një shërbim të pajisur me standardet më të mira europiane.
“Gjitha ai rrënim në çerek shekulli është prapa krahëve tani, me gjithë këtë ristrukturim, me gjithë këtë dixhitalizim të të gjithë procesit tani mbetet vetëm për të mbajtur nivelin dhe për të vazhduar me intensitet. Momenti kur do kalojë kjo flamë e COVD-it do të jetë pastaj shumë më e stabilizuar situata dhe do të rritet edhe më tej shpejtësia e shërbimit”, tha Kryeministri Rama gjatë inspektimit të flotës së re të autoambulancave antiCOVID.
Ministrja Manastirliu tha se nëpërmjet këtij investimi strategjik, shtimi i 36 autoambulancave të reja është përgjigja ndaj pandemisë dhe se koha e mbërritjes së autoambulancës në vendngjarje do të ulet edhe më tepër.
“Janë 36 autoambualanca të reja, të mirëpajisura me të gjitha pajisjet jetështëtuese. Janë një investim i qeverisë shqiptare, në kuadër të të gjithë investimeve të përgjigjes ndaj pandemisë. Vetëm në dy vitet e fundit flota e autoambulancave është zgjeruar me 80 autoambulanca të reja”, tha Manastirliu.
Duke theksuar se është vendosur një standard i ri në shërbim të qytetarëve për sa i përket flotës moderne të autoambulancave, Manastirliu tha se me shtimin e autoambulancave të reja janë shtuar edhe ekipet në terren.
“Ekipi i Urgjencës Kombëtare është dyfishuar, pasi sigurisht që me rritjen e numrit të autoambulancave, pra me flotën e re, kërkohet edhe një numër më i madh i stafit dhe tashmë është i dyshfishuar”, tha Manastirliu.
Drejtori i Urgjencës Kombëtare Skënder Brataj ka theksuar se autoambulancat e reja janë të pajisura me të gjitha pajisjet jetëshpëtuese, duke siguruar shërbim si në spitale me ekipe të mirëtrajnuara.
“Është një spital që shkon tek pacienti. Qëllimi ynë është të mbërrijmë sa më parë tek pacienti dhe në momentin që mbërrijmë pacienti është në spital. Janë 4400 litra oksigjeni në çdo ambulancë”, theksoi Brataj.
Vetëm në dy vitet e fundit flota e autoambulancave në territor është fuqizuar me 80 autoambulanca të reja moderne të pajisura me të gjithë mjetet jetëshpëtuese. 36 autoambulancat e reja do të shpërndahen në territor, në spitale dhe do të jetë në funksion të menaxhimit të pandemisë./tvklan.al