Kjo është Olesia Duka, një dentiste 38-vjeçare që u arrestua nga policia se kishte mashtruar një biznesmen në Durrës, duke i marrë 900 mijë euro.

Ajo u kap në Tiranë, pas masës së arrestit në mungesë të dhënë nga Gjykata e Durrësit, me kërkesë të Prokurorisë.

Stomatologia u denoncua në polici në 27 Janar nga biznesmeni me inicialet I.H, i cili pretendonte se ajo i kishte zhvatur paratë nëpërmjet mashtrimit.

Sipas tij, dentistja i kishte thënë se kërkonte të blinte pajisje për disa nga klinikat e saj dentare në kryeqytet.

Pre e këtij mashtrimi sipas hetuesve dyshohet të kenë rënë përgjatë viteve edhe persona te tjerë.

Duka u premtonte biznesmenëve se paratë do t’ua kthente shumë shpejt. Grupi hetimor dyshon se ajo ka pasur edhe lidhje intime me disa prej tyre.

Prokuroria ka vendosur sekuestro ne 4 apartamente te 38 -vjeçares në Tiranë dhe 1 në Durrës. Vlera e tyre përllogaritet në 300 mijë euro.  

Gjatë kontrolleve të ushtruara në këto banesa, policia gjeti disa blloqe ku stomatologia mbante shënim borxhet e marra. Po ashtu u sekuestrua edhe 1.5 kilogram kanabis.

 

 

Njoftimi i plotë i Prokurorisë së Durrësit:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës në bashkëpunim me Sektorin e Krimit Ekonomik në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë mundësoi zbulimin e një vepre penale të një shtetasje për mashtrim me vlera të mëdha financiare, deri në 900 mijë euro. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës në 26 janar 2018 ka filluar procedimin penal nr. 143/2018, për veprën penale “Mashtrimi”, te parashikuar nga neni 143/3 i K. Penal në ngarkim të shtetases O.D. banuese në Tiranë në dëm të shtetasit paditës I.H. Nga materialet hetimore paraprake të mbledhura ekzistojnë dyshime të arsyeshme të mbështetura në prova se nga autori i veprës penale O.D. (madhor) është kryer vepra penale e “Mashtrimit” parashikuar nga neni 143/3 i Kodit Penal, i cili me anë të veprimeve të gënjeshtrës dhe shpërdorimit të besimit vazhdon të mos kthejë shumën e parave të marra duke kryer në këtë mënyrë veprën penale ndaj të dëmtuarit I.H.që nga njohja mes tyre në nëntor 2016.

Autori i veprës penale vazhdon të kryejë veprime në mbulimin dhe dredhinë për mashtrim dhe vjedhjes se shumave të mëdha parash edhe tek disa persona të tjerë. Për këto arsye nga ana e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, është caktuar masa e sigurimit arrest ne burg për shtetasen O.D. e datëlindjes 26.09.1980, me banim në Tiranë. Nisur nga dëmi i madh i shkaktuar të dëmtuarit nga vepra penale, nga ana e Gjykatës është vendosur sekuestroja preventive për pesë pasuri të autorit dhe familjarëve të tij me një vlerë mbi treqind mijë Euro. Hetimet vazhdojnë për identifikimin e shumave të vjedhura dhe të fshehura nga ana e autorit të veprës penale.

Tv Klan