Aplikuesve në platformën “Deputeti që Duam” që kanë shkuar në 470, Edi Rama ju tha në oborrin e partisë së tij se të jesh pjesë e politikës do duhet guxim për t’u përballur me shumë tundime që të shfaqen përpara.
“Hyn në një rrugë që është si ato shtigjet gjarpëruese që herë shkojnë lart e herë shkojnë poshtë; herë ndërpriten nga pengesa, herë bëhen të rrëshqitshme, herë të bëjnë të thuash ‘’më mirë të kthehem” dhe ajo që ti konsideron të drejtë në raport me veten duke parë të tjerët, është një e drejtë së cilës vetëm ti mund t’ia nxjerrësh dukjen nëse ke forcën t’i rezistosh asaj rrugës gjarpëruese. Nuk ka një vlerësim objektiv të mundshëm dhe edhe vetë zgjedhja, edhe vetë vota ka brenda dhe një dozë emocioni, subjektiviteti, rrethanash që bëjnë që dikush në një moment të caktuar të shihet dhe të vlerësohet më shumë dhe dikush tjetër të shihet dhe të vlerësohet më pak, por ama kjo është njëkohësisht një rrugë për guximtarët”.
Por Rama që tanimë ka më tepër se 25 vite në politikë, iu tregon dhe sekretin për të bërë sukses në politikë.
“Natyrisht brenda hapësirës së politikës ka nga të gjithë e nga të gjitha. Ka nga të gjithë llojet e njerëzve dhe ka nga të gjitha llojet e problemeve. të merresh me politikë nuk do të thotë që domosdoshmërish të merresh me një punë të pistë. Të merresh me politikë do të thotë të merresh me diçka që është shumë fisnike dhe si çdo gjë tjetër, varet nga duart. Duart e pastra bëjnë një punë të caktuar, duart e pista bëjnë një tjetër. Duart e afta bëjnë një punë të caktuar, duart e pafata bëjnë një tjetër. Duart e treguara bëjnë një gjë, duart e fshehura bëjnë një gjë tjetër .Historia e politikës është historia e njerëzve guximtarë dhe pastaj historia e të qëndruarit drejtë është një histori më vete për të cilën do kemi shumë kohë të flasim se në politikë ka njerëz që bëjnë sukses të përkohshëm, por pastaj bien se nuk qëndrojnë drejtë”.
Sa i takon situatës aktuale politike, duke iu referuar parlamentit, Rama thotë me siguri që tregon degradimin, por po me të njëjtën siguri thotë që Partia Socialiste do të udhëheqë ripërtëritjen që e kërkon e gjithë shoqëria.
“Në Shqipëri sot është në një moment degradimi sepse është njëkohësisht një moment riformësimi, është si një trup që ka kaluar një fazë të caktuar dhe tashti po fillon të riformësohet pasi ka një pjesë të vetën shumë të degraduar dhe ka një shtysë të brendshme të gjithë organizmit shoqëror për të ripërtëritë dhe Partia Socialiste ka detyrën ta udhëheqë këtë ripërtëritje”.
Mandatin e 4 që është i sigurt se socialistët do e marrin, shpjegon përse nuk do e çojë vendin në autoritarizëm e diktator.
“Ka pasur parti që kanë bërë historinë duke qëndruar 30, 40, 50 vjet në pushtet. Nuk po them që kështu do ndodhi, por po them që detyra jonë është që Partia Socialiste të qëndrojë në krye të detyrës dhe kjo nuk është ambicie për pushtet, kjo është ambicie për Shqipërinë dhe pushteti duhet për këtë ambicie”.
Sipas Ramës, tranzicioni në Shqipëri ka marrë fund, dhe nisja e negociimit të kapitujve të parë është treguesi më i mirë.
Tv Klan