Një student ka kaluar pesë muaj në një burg në Indi për një mesazh në WhatsApp, të cilin ai thotë se nuk e ka dërguar. Studenti në fjalë akuzohet për nxitje trazirash, për shkak të përmbajtjes së mesazhit, edhe pse nuk është e qartë se çfarë thuhet në të.

Policia pohon se i riu ishte administrator i një grupi në WhatsApp, për të cilin u paraqit një ankesë. Familja e tij argumenton se ai u bë admin rastësisht, vetëm pasi administratorët fillestarë kishin hequr dorë nga grupi.

Junaid Khan, student nga qyteti Talen në shtetin qendror të Indisë të Madhya Pradesh, u arrestua më 14 Shkurt.

Sipas raportimeve lokale, akuzat rrjedhin nga një mesazh i cili u dërgua në një grup WhatsApp ku ai ishte pjesë, duke e akuzuar atë për kryengritje. BBC ka konfirmuar se Khan ka kaluar pesë muajt e fundit në burg, edhe pse natyra e mesazhit “problematik” nuk është ende e qartë./tvklan.al