17 Gushti ka shënuar 60-vjetorin e masakrës së Gushtit 1949, e njohur si Masakra e Qafë-Valmirit.
Me këtë rast në qytetin e Rrëshenit është organizuar një ceremoni përkujtimore ku ka marrë pjesë dhe kryeparlamentarja Topallli, deputetët Edi Paloka dhe Mark Marku, si përfaqësues të pushtetit vendor, përfaqësues të shoqatave dhe të institutit të të përndjekurve politikë.
Duke nderuar kujtimin e burrave dhe grave që dhanë jetën në masakrën e Qafë Valmirit, kryetarja Topalli shprehu respektin dhe mirënjohjen e saj për ata që u bënë viktima të regjimit komunist për shkak të besimit të tyre tek liria.
Jozefina Topallli: “Unë gjithmonë kam vlerësuar një edukatë të fortë, një vlerë të madhe: forcën për të falur. Është gjëja më e madhe. I fortë dhe me kurajë është ai që fal dhe që s’mendon kurrë për diçka tjetër dhe ju e keni bërë këtë më shumë se gjithkush tjetër me një fisnikëri të paparë, me një forcë dhe kurajë të jashtëzakonshme.”
Të pranishmit përkujtuan viktimat e masakrës së Qafë-Valmirit, e cila njihet si një nga masakrat më të përgjakshme të regjimit komunist.
Ceremonia vijoi para memorialit në nderim të viktimave të 17 Gushtit 1949, i punuar nga skulptori i ri Kelvin Pjetri./tvklan.al