Topalli: 28 nëntori, Shqipëria realizoi ëndrrën Evropiane

Me rastin e 97 vjetorit të krijimit të shtetit Shqiptar kryeparlamentarja Topalli ka rikujtuar ëndrrën europiane të shqiptarëve, që tashmë sipas saj po kthehet në një realitet. Deklarata e znj. Topalli u bë gjatë një ekspozite të organizuar nga Ministria e Kulturës, në mjediset e ish-muzeut të diktatorit Hoxha me rastin e festës së 28 nëntorit.

Edhe pse rrëfimin e saj znj. Topalli e nisi me vargjet e poetit kombëtar Gjergj Fishta. Ajo theksoi se ky 28 nëntor gjen të përmbushur amanetin e Ismail Qemalit në vitin 1912, i cili ngriti nga qyteti i Vlorës flamurin shqiptar.

Jozefina Topalli: “Dita e flamurit natyrisht nuk është vetën ditë feste, është ditë premtimi është dhe ditë amaneti. Një vit përpara kur festonim 28 nëntorin ditën e flamurit, Shqipëria nuk ishte anëtare e NATO-s. Sot Shqipëria është anëtare e NATO-s. 28 nëntor të 2008-ës Shqipëria nuk kishte marrë Okay në kërkesën e saj për statusin e vendit kandidat. 28 nëntor 2009, Shqipëria është pranuar në kërkesën e saj. Ëndrra të tjera fluturojnë”.

Ekspozita e konceptuar me fjalime dhe korrespondenca të rilindësve, albanologëve dhe figurave më të shquara politike, sillte në një dritë të re realitetin e kohërave të vështira, para dhe pas krijimit të shtetit në vitin 1912, atë të luftërave ballkanike, vendosjen e monarkisë, luftën e dytë, si dhe periudhën e diktaturës komuniste, rrëzimin e saj dhe Shqipërinë demokratike./tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro