Kryeparlamentarja Jozefina Topalli ka rikonfirmuar vullnetin e mazhorancës për hapjen e dosjeve të komunizmit. Vetëm pak ditë pasi kërkoi nga komisioni i Ligjit që të fillojë shqyrtimin e 3 projektligjeve për hapjen e dosjeve dhe dënimin e komunizmit, Topalli tha, se tashëm është koha e duhur që njerëzit që njerëzit që i shërbyen regjimit, duke vrarë e persekutuar më mijëra shqiptar të mos jenë të përfaqësuar as në parlament as kudo tjetër.
Jozefina Topalli: “Sot pas 20 viteve kur Shqipëria ka marrë ftesën për NATO, ne nuk mund të lejojmë më që në institucionet kryesore të shtetit shqiptar, në presidencë, në parlament, në qeveri, në Gjykatë të Lartë, në Gjykatë Kushtetuese dhe në institucionet e tjera të kemi njerëz të cilët kanë pasur ose kanë kontribuar në atë që ka qenë, pra më e tmerrshme, që ishte sigurimi i shtetit i drejtuar nga Enver Hoxha. Ne nuk mund të lejojmë dhe kjo ka të bëjë me moralin tonë, por edhe me vokacionin perëndimorë, me kërkesën e atyre të persekutuarve, të pushkatuarve, por edhe me kërkesën e Parlamentit Europian.”
Topalli bëri këto deklarata menjëherë pas përfundimit të një dokumentari mbi gjenocidin komunist në Shqipëri, ku ishte i pranishëm dhe presidenti Bamir Topi. Kreu i shtetit e shfrytëzoi këtë aktivitet për të pohuar se për 20 vite demokraci, politika shqiptare ka bërë shumë pak për të rehabilituar shtresën e të përndjekurve nga regjimi diktatorial.
Bamir Topi: “Në mënyrë simbolike, unë kam një grua këtu afër është nusja e dajës tim që ka qenë pikërisht me ato që u pasqyruan këtu, po që është vetëm një nga të gjithë ato të persekutuar të cilët realisht duhet të flasin shumë edhe duhet të flasin ata që pikërisht flasin në emër të tyre dhe po i konsumojmë edhe kartën morale të fundit këtij problemi që në 20 vjet gati demokraci ka shuam demagogji dhe për fat të keq nuk ka veprime konkrete.”
Presidenti Topi është shmangur pyetjes së gazetarëve lidhur me propozimin e dekreteve të reja për anëtarët e gjykatës së lartë dhe nuk ka pranuar të komentojë as deklaratën e përfaqësuesit të institutit të Përndjekurve politik Simon Miraka, i cili duke folur nga podiumi ka kritikuar votat e dhëna në parlament për kandidaturat për Gjykatën e Lartë, Kristaq Trajan dhe Zamir Podën.
Miraka tha se nuk duhet të ndodhë që emrat e prokurorëve politikë të propozohen për poste të tilla, por ky aktivitet i ka dhënë mundësinë presidentit Topi dhe kryetares së kuvendit Topalli që të shtrëngojnë dorën me njëri tjetrin pas përplasjeve të dy institucioneve, për shkak të procedurave për shqyrtimin e 5 dekreteve të para për anëtarët e gjykatës së Lartë./tvklan.al
Gazetare: Anila Rama
Operator: Isdor Rudho