Fatbardh Çuni, 37 vjeç, është shpallur në kërkim nga policia shqiptare. Ai dyshohet se është personi që priste sasinë prej 7.3 kilogramë kokainë, të sekuestruar 2 ditë më parë në portin e Durrësit.
Në një njoftim për mediat, policia e këtij qyteti thotë se “si rezultat i hetimeve u bë i mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e Fatbardh Çunit 37 vjeç, i cili dyshohet se do të priste lëndën narkotike në Angli.”
Me qëllim kapjen e tij, autoritetet shqiptare po bashkëpunojnë “ngushtësisht me homologët e Britanisë së Madhe”, thuhet më tej në njoftim.
Kokaina u zbulua të shtunën në një furgon mallrash me targa angleze.
Ajo ishte e ndarë në 7 pako dhe ishte fshehur poshtë sediljes së shoferit Arjan Doçi. Ky i fundit u arrestua së bashku me pronarin e furgonit, Mentor Çuni.
Në njoftimin e saj për mediat, policia thotë se “vijojnë hetimet e thelluara për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.”/tvklan.al