Qeveria pritet të aprovojë një shpërblim për rreth 8 mijë efektivë policie me rastin e festave të fundvitit. Sipas gazetarit të Klan News Besar Bajraktaraj, është diskutuar që vlera që do jepet mund të jetë 10 mijë ose 15 mijë lekë të reja.
“Është miratuar një fond për shlyerjen e të gjitha detyrimeve që institucionet ligjzbatuese apo Ministria e Brendshme ka ndaj punonjësve të Policisë”, raportoi gazetari.
Ky shpërblim do përfitohet nga efektivët që janë në terren, ku janë përjashtuar ata punonjës që kanë funksione më të larta se inspektor. Po ashtu është dhënë urdhri nga Kreu i Policisë së Shtetit Ilir Proda që të kalojnë në thesar brenda ditës të gjitha pagesat e prapambetura ndaj punonjësve të Policisë.
Nga data 24 Dhjetor deri më 3 Janar, Policia e Shtetit ka kaluar në gatishmëri me turne 12 orëshe në funksion të rendit e sigurisë.
/tvklan.al