34 vjeçari Elton Balliu është arrestuar në Portin e Durrësit. Sipas uniformave blu, ai kishte fshehur në trup 88 mijë euro që dyshohet se i ka fituar me veprimtari kriminale. Në kamionin që ai drejtonte u gjetën edhe 18 shishe me verë kontrabandë.
“Kishte fshehur në trup dhe çantë, 88 000 euro që dyshohet se rrjedhin nga veprimtari kriminale, arrestohet në hyrje të Shqipërisë, 34-vjeçari. Në vijim të kontrolleve me metoda bashkëkohore, në kamionin që drejtonte ky shtetas u gjetën 18 shishe me verë, të dyshuara të kontrabanduara. Sekuestrohen paratë dhe malli. Si rezultat i kontrolleve të imtësishme në hyrje/dalje të Shqipërisë, me qëllim garantimin e qarkullimit të ligjshëm dhe të sigurtë të shtetasve dhe mallrave, Seksioni i Hetimit dhe ZMPKT Durrës, në bashkëpunim me Stacionin e Policisë Kufitare të portit të Durrësit, finalizuan operacionin policor të koduar “Pakot”, gjatë të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi E. B., 34 vjeç, banues në Tiranë. Në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, është kaluar në vijë të dytë, për kontroll më të detajuar, me metoda bashkëkohore, kamioni që drejtonte 34-vjeçari. Nga kontrollet, këtij shtetasi i janë gjetur të fshehura në trup dhe në çantë, me qëllim mosdeklarimin, 88 000 euro (të ndara në 4 pako të mbështjella me natriban) që kanë burim të dyshimtë, ndërsa në kamion janë gjetur 18 shishe me verë që dyshohet se janë të kontrabanduara, sepse nuk ishin të shoqëruara me faturë blerjeje”, thuhet në njoftimin zyrtar.
/tvklan.al