Ish-Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ndodhet prej 16 muajve në paraburgim në Hagë, aty ku vijon gjyqi ndaj tij dhe 3 përfaqësuesve të tjerë të UÇK, të cilët akuzohen për krime kundër njerëzimit. Avokati i tij, në një lidhje me emisionin “Opinion” tregoi mbrëmjen e kësaj të mërkure se për rreth 9 muaj, Thaçi ka qenë në izolim të plotë dhe nuk ka mundur të takojë asnjë prej familjarëve të tij, për shkak të masave anti-Covid.

Emocionalisht në çfarë gjendje është Thaçi?

Prej momentit kur është dërguar në paraburgim, tani bëhen 16 muaj ka qenë në një gjendje jashtëzakonisht të mirë shpirtërore, i përqendruar vetëm në përgatitjen e mbrojtjes së tij. Emocionalisht është shumë i fortë.

Me se merret gjatë ditës, ndjek lajmet, zhvillimet, lejohet?

Jo. Lexon kryesisht literaturë që nuk ka të bëjë as me Ballkanin. Njihet me shkresat e lëndës që ne i kërkojmë komente dhe përgjigje…

Është në izolim të plotë?

Është në burg, burgu është burg edhe aty është i izoluar.

Lejohet të ketë kontakte, vizita, njerëz?

Mos harrojmë diçka, deri në fund të Korrikut në mos gabohem, ka qenë në izolim të plotë, me pretendimin e masave parandaluese kundër Covid.

Izolim të plotë?

As nuk ka mundur të takojë asnjë anëtarë të familjes. Rreth 9 muaj ka qenë në izolim të plotë. Asnjë vizitë. Vizitat e para familjare janë lejuar në periudhën e verës, në korrik, mos gabohem.

Po në raport me njëri-tjetrin komunikojnë normalisht?

Nuk i di të gjitha detajet e jetës brenda burgut, por mbase kanë kontakte, aktivitete të përbashkëta. Nga ana tjetër kanë pasur qasje të kufizuara edhe nga burimi i informacionit. Për shembull deri vonë, vetëm transmetuesi publik i Kosovës ka qenë duke u transmetuar aty dhe kanë pasur shumë vështirësi. Tani mbase kanë kuptuar që edhe Klani i Shqipërisë shihet brenda hapësirave të burgut. Mirëpo koha e pandemisë e ka vështirësuar jashtëzakonisht qëndrimin e tyre atje sepse për rreth 9 muaj kanë pasur probleme edhe që të takohen me mbrojtjen fizikisht. Kemi komunikuar përgjithësisht nëpërmjet videolinqeve./tvklan.al