Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ka pohuar se në faturimin e energjisë për dy muajt e parë të këtij viti ka patur gabime dhe abuzime. OSSH ka shqyrtuar 2227 ankesa të qytetarëve për faturimin e energjisë gjatë kësaj periudhe dhe ka konstatuar abuzime në faturat e 273 abonentëve.
Sait Dollapi: “Me këta 273 abonentë do përdoren të gjitha procedurat ligjore për kompensimin e sasisë së mbi faturuar ose për faturimin e energjisë elektrike të pa faturuar.”
Pas zbulimit të këtyre abuzimeve OSSH ka dërguar në prokurori për ndjekje penale dosjet e 21 punonjësve abuzues dhe ka shkarkuar nga detyra 61 faturistë.
Sait Dollapi: “Janë pushuar dhe larguar nga puna dhe rreth 61 punonjës, janë dërguar rreth 21 punonjës në prokurori për ndjekje penale, janë konstatuar për këtë periudhë edhe 466 abonentë, privat dhe familjar të cilët abuzojnë me energji elektrike dhe për të gjithë këta ka nisur gjithë dokumentacioni drejt organit të akuzës, prokurorisë për ndjekje penale.”
Në këtë dalje publike gjatë një mbledhje me drejtorët e OSSH në rrethe, zoti Dollapi sqaroi gjithashtu se gjatë muajit janar janë konsumuar 664 milion kilovat/orë energji, rreth 20 milion kilovat/orë më shumë se një vit më parë./tvklan.al
Gazetare: Brundila Cami