Sot në mesnatë skadon afati i vendosur nga KQZ për pranimin e kandidaturave nga partitë politike që do të marrin pjesë në zgjedhjet e pjesshme lokale të 15 Nëntorit, por Partia Socialiste nuk ka regjistruar asnjë kandidat, duke i qëndruar kështu paralajmërimit të kryetarit Rama për bojkotimin e këtyre zgjedhjeve.
E nëse pjesëmarrja në zgjedhje është në dëshirën e socialistëve dhe jo detyrim ligjor, kodi zgjedhor parashikon që kjo parti, si forca me e madhe politike në opozitë, duhet të ketë komisionarët e saj si në komisionet zonale te administrimit të zgjedhjeve ashtu dhe në qendrat e votimit.
Deri në mesdite socialistët nuk e kishin përmbushur këtë detyrim që buron nga ligji zgjedhor.
Në rast se Partia Socialiste do të vendos të mos përfaqësohet me komisionarët e saj në KZAZ dhe në qendrat e votimit atëherë kodi parashikon që vendin e tyre e zënë komisionarët e propozuar nga forca e dytë më e madhe parlamentare e opozitës.
Zgjedhjet e 28 Qershorit kane përcaktuar si parti te dyte opozitare PBDNJ-në e Vangjel Dules.
Nëse edhe kjo forcë nuk respekton detyrim, atëherë, në bazë të kodit, komisionarët do të përzgjidhen nga vetë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Zgjedhjet e pjesshme 15 Nëntorit do të zhvillohen në 5 qarqe në ato zona ku të zgjedhurit e njësive të qeverisjes vendore fituan mandatin e deputetit ne zgjedhjet parlamentare.
Respektivisht zgjedhjet do të zhvillohen në komunën Otlla, në bashkinë Klos, komunën Fierz, bashkinë Fushë Arrëz dhe njësinë bashkiake nr. 10 në kryeqytet./tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka