Në vetëm 8 ditë të nisjes së procesit të regjistrimit të shqiptarëve të diasporës, kanë shprehur interes për të votuar 36 mijë persona. Nga këta më shumë se 23 mijë  kërkesa janë shqyrtuar dhe afro 14 mijë janë miratuar, ndërsa pjesa tjetër është refuzuar kryesisht për shkak se nuk japin një adresë për vendbanimin. Por pasi njoftohen nga operatoret e KQZ për problematikat ata mund të riaplikojnë sërish. Por këto të dhëna përditësohen minute pas minute.

Shtetet nga ku kanë aplikuar për t’u regjistruar janë nga çdo kontinent, por shtete europiane si Itali, Greqi dhe Gjermani mbajnë dhe peshën më të madhe me 70.9 përqind të numrit total të aplikimeve. Mes 86 shteteve figurojnë dhe vende si Anguila, Fixhi, Guadolupe, Angola, Bahrein apo Barbuda.

Grupmosha më e interesuar për të votuar në zgjedhjet e 11 Majit janë nga 26 deri 35 vjeçe me 29.5 përqind të aplikimeve ndërsa më pak të interesuarit grupmosha 18 deri 25 vjeç me vetëm 9.8 përqind aplikues.

Në javën e parë të nisjes së regjistrimit që do të zgjasë deri në 4 Mars, qarku që rezulton me numrin më të lartë të aplikuesve në platformën e KQZ është Tirana me 21.4 përqind të aplikuesve ndërsa Kukësi qarku me interesin më të ulet për votuar nga jashtë me vetëm 1.3 përqind të regjistruar.

Fluksi i të interesuarve në vetëm një javë konsiderohet pozitiv si nga forcat politike ashtu dhe KQZ, por për këtë të fundit mbetet problem numri i operatorëve që ka në dispozicion për të shqyrtuar aplikimet ndaj gjatë kësaj jave është menduar shtimi i tyre. Një kërkesë publike kjo dhe partive që do të jenë pjesë e garës së parlamentareve të 11 Majit.

Tv Klan