Agron Kuliqi: “Statistikat e këtij viti, që t’i quajmë ngjarje të mirëfillta kriminale të cilat janë eliminime mafioze ne nuk jemi përfshirë. Kjo është puna jonë, rezultati i goditjes së grupeve kryesore, rezultat i goditjeve të personave të cilat kanë qenë në botën e krimit me emër të pa cenueshëm, është arritje që ne të arrijmë të ulim nivelin dhe të bëjmë një punë paralajmëruese të madhe”.

Ngjarje të rënda që tronditën opinionin publik, pritet të rihapen duke zbardhur kështu motivet dhe autoret. Dosjet mbi eliminime mafioze, shpesh të porositura jashtë kufijve, të ekzekutuara me aq buje nga vrasës me pagesë, do të nxirren nga arkivi për t’u dokumentuar me prova dhe fakte të reja. 

Zëvendës drejtori i departamentit për hetimin e krimit, Agron Kuliqi, deklaron se kanë arritur të zbulojnë shumë fakte të reja lidhur me vrasjet e bujshme siç është eliminimi i biznesmenit të hekurit Florian Vila , apo vrasja e Vajdin Lamaj, Presidenti i Federatës Shqiptare të Boksit.

Agron Kuliqi: “Ne e dimë mekanizmin e ngjarjes, e dimë se si janë kryer këto veprime, por problemi është se këto duhet t’i kalojmë me provë dhe që të kalosh në provë duhet që të krijosh rrethana të reja, duhet të sigurosh provën, duhet të sigurosh dëshminë në mënyrë që pastaj personat që do akuzohen për këtë të përballen me drejtësinë. Kemi arritur të mbledhim një minimum të dhënash për to, janë bërë objekti i analizave i strukturave të Tiranës me strukturat qendrore të policisë, janë bërë objekt diskutimi paraprak dhe me instruktuat e prokurorisë si të Tiranës dhe prokurorisë të krimeve të Rënda. Por akoma ne nuk mendojmë që janë mbledh rrethana dhe prova të mjaftueshme të cilat ne t’i referohemi dhe pastaj të bëhen objekt hetimi”.

Në arshivën e policisë gjejmë dosjet të konsideruara “Pa autor”.  Këto vrasje janë konsideruar si ngjarje të rënda, të vështira për tu zbuluar. Mekanizmi dhe mënyra e kryerjes së tyre, nuk kanë lënë gjurmë dhe prova, të cilat çojnë tek autoret.

Agron Kuliqi: “Për hir së vërtetës ne praktikën botërore, në praktikën dhe në vendet tjera janë më të zhvilluara si të BE-së ashtu dhe më larg, këto raste janë raste shumë të vështira dhe lehtësira janë rastet që ngelen të pa zbuluara. Sepse unë po të them ty që në qoftë se ne forcat zbuluese për rastet e vrasjes i kemi mbi 80% dhe forcën goditëse, ky është një tregues shumë i lartë i strukturave të policisë shtetit, pavarësisht kryerjes së veprës penale, mënyrës së kryerjes dhe mekanizmit. Këto janë ngjarje që kanë ndodhur në kohë, që kanë kryer vështirësi në marrjen e provës pamvarsisht veprimeve që janë kryer, kanë kryer vështirësi në marrjen e deklarimeve, pavarësisht veprimeve që janë kryer dhe këto kërkojnë veprime më specifike. Mënyra e mekanizmit është vrasje mafioze”.

Kuliqi deklaron se në muajt e parë të vitit 2009, do të rihapen edhe të tjera dosje të kësaj natyre, për të cilat janë siguruar prova dhe pritet vetëm arrestimi i autorëve.

Agron Kuliqi: “Shumë shpejt do referohen dhe çështjet e …, kanë fillu veprimet për Koço Danin, i cili është një ngjarje, e cila në ’98 ka tronditur opinionin publik rrëmbimi i tij edhe për rastin e  disa ngjarjeve të Koços të cilat janë kryer në këtë lloj mekanizmi me vrasje me pagesë. Shumë shpejt autorët, personat që kanë kryer këto do vehen prapa përgjegjësisë sepse janë grumbullu rrethana dhe prova të mjaftueshme që do provojnë … e këtyre ngjarjeve”.

Një element kryesorë në zbardhjen e këtyre ngjarjeve sipas Kuliqit, kanë qenë dhe dëshmitarë të ndryshëm. Marrja e deponimeve të dëshmitarëve që nuk kanë mundur të dëshmojnë në kohë, kanë shërbyer për zbardhjen e këtij mekanizmi.

Agron Kuliqi: “Të ndërtosh një vendngjarje mbas një periudhë kohe është.. nuk do të thotë që është shumë e thjeshtë, kuptohet sepse duhen të gjithë elementet e asaj ngjarje. Dhe ne këtë e marrim mbi bazën e dëshmive që marrim nga dëshmitarët që kanë qenë okular në ngjarje të cilët për një situatë ose një rrethanë tjetër, ose për arsye të panikut ose frikës nuk kanë arritur ta dëshmojnë këtë fakt. Po të them që falë këtij bashkëpunimi të cilët sot ne kemi një numër jo të pakët dëshmitarët e drejtësisë dhe bashkëpunëtorë të drejtësisë. Kemi arritur që të zbërthejmë ngjarje të cilat në vite nga ’97-ta e këtej nuk do ishte e pamundur realizimi i tyre”…./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani

Operator: Klodian Keçi