Tre fëmijë nuk arritën të mbijetojnë nga ky aksident në Suhodoll të Mitrovicës.

Rreth orës 15:00 të shtunën vozitësi i kamionit që po kthehej nga rindërtimi i shtëpive në Kroin e Vitakut humbi kontrollin dhe hyri në shtëpinë e tyre.

Trupat e fëmijëve të moshës 7 deri 11 vjeç arritën pa jetë në qendrën kryesore të mjekësisë familjare ne Mitrovicë, bëri të ditur shefi i shërbimit emergjent në këtë qendër, Besim Meholli.

Besim Meholli: “Të vdekurit janë, dmth, Blerim Ahmeti, Valon Aliu, Irfan Aliu. Mosha e tyre është prej moshës 7-vjeçare deri në moshën 11-12-vjeçare edhe pse nuk dihet saktësisht për shkak se…”

Sipas policisë besohet se shkak i aksidentit kanë qenë defektet teknike të kamionit.

“Mesa besohet se kamioni transportues për defektet teknike, besohet të jenë defekte teknike. Në pamundësi të frenojë automjeti është futur brenda në shtëpi”.

Në kohën kur ndodhi ngjarja në dhomën e shtëpisë, e cila u godit nga kamioni ishin tetë veta, shumë prej tyre mysafirë të ardhur nga shtetet perëndimore për të kaluar pushimet në Kosovë.

Pesë nga ata shpëtuan nga vdekja, por tre janë duke u trajtuar në qendrën klinike universitare të Kosovës përfshirë këtu edhe vozitësin e kamionit e në Prishtinë thonë se të lënduarit janë jashtë rrezikut për jetën.

Në orët e vona të pasdites policia së bashku me KFOR-in dhe njësitë e tjera kanë tërhequr kamionin nga vendi i ngjarjes për të vazhduar më pas me hetimet./tvklan.al