Zëvendës presidenti amerikan Josef Biden mbërriti në Kosovë, ndalesa e fundit e turneut të tij në Ballkan. Avioni zbriti në pistën e aeroportit të Prishtinës në orën 9:41 minuta, Biden u prit nga ministri i Jashtëm Skënder Hyseni, ambasadorja amerikane në Kosovë Tina Kajdanov, bashkëshortja e kryeministrit Thaçi, si dhe nga një grup fëmijësh me flamuj amerikan dhe të Kosovës.
Masa të rrepta sigurie janë marr për të garantuar ndalesën e Bidenit në Kosovë. Agjentët e sigurisë ndryshuan protokollin e udhëtimit. Numri dy i shtëpisë së bardhë u nis më pas drejt Prishtinës me helikopter dhe jo me makinë siç ishte njoftuar fillimisht.
Zëvendës presidenti më pas është pritur në Kuvendin e Kosovës nga kryeministri Hashim Thaçi, presidenti Fatmir Sejdiu, kreyparlamentari Jakup Krasniqi, ministri i punëve të jashtme Skënder Hyseni dhe ministri i forcave të sigurisë Fehmi Mujota.
Pas pak Biden pritet të mbajë dhe një fjalim në Kuvend, ndërsa është paralajmëruar edhe një vizitë në manastirin e Deçanit. Vizita e krahut të djathtë të presidentit Obama vlerësohet si historike dhe dëshmon se SHBA-të janë të përkushtuara për Ballkanin dhe për Kosovën në veçanti.
Kjo është vizita e nivelit më të lartë politik që nga shpallja e pavarësisë në shkurtin e vitit të shkuar. Por ndërsa shqiptarët po e presin me entuziazëm vizitën e zëvendës presidentit amerikan, qytetarët serbë në veri të Kosovës kanë njoftuar se do të mbajnë një protestë kundër kësaj vizite./tvklan.al
Gazetare: Urita Dokle