Këto makina u rrokullisën nga pjesëtarët e lëvizjes Vetëvendosja. Arsyeja e demulimit të këtyre makinave është se ato i takojnë misionit të EULEX-it në Kosovë, ndërsa me këtë veprim u shpreh mllefi kundër protokollit që ky mision po synon të nënshkruaj me Serbinë.
Glauk Konjufca: “Ne kemi problem me përmbajtjen e protokollit ashtu siç kemi me mandatin e EULEX-it. Përmbajtja e protokollit e definon kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si kufi administrativ, po kështu siç e ka definuar UMNIK-u dhe me qenë se EULEX-i nuk po ndryshon fare prej UMNIK-ut por është vazhdimësi e tij, as lëvizja Vetëvendosje nuk ka pse ta trajtojë atë ndryshe.”
Policia e Kosovës konfirmoi se 28 makinat e EULEX-it të parkuara prapa pallatit të rinisë në kryeqytet janë rrokullisur e demoluar, e të lënduar pati nga të dy anët. Tre pjesëtar të lëvizjes Vetëvendosje dhe tre polic u lënduan gjatë këtij aksioni siç u tha simbolik, të martën në kryeqytet.
Policia: “Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka konstatuar se bëhet fjalë për 28 vetura të dëmtuara të EULEX-it. Në kuadër të masave operative që ka ndërmarrë policia për të parandaluar një veprim të tillë ka shoqëruar në stacionin policor 21 persona.”
Burimet e Klan Kosovës nuk mohuan mundësinë e arrestimeve të reja, si dhe marrjen e trajtimin e kësaj çështje komplet nga prokuroria e EULEX-it. E arrestimet e ardhshme të bëhen nga policët ndërkombëtar.
Gazetari: “A meritojnë veturat e EULEX-it djegien?”
Hashim Thaçi: “Synimi i Kosovës , i qytetarëve të Kosovës, i politikës së Kosovës është integrimi në NATO dhe në BE. Kam theksuar edhe më herët se gjashtë pikëshi, dhe çështja e protokollit i takojnë të së kaluarës.”/tvklan.al