Agim Vitaku është shfaqur i lumtur, të mërkurën në Kroin e Vitakut, për dallim nga dy ditë më parë.
Këta policë që të hënën e pengonin të shkonte te prona e tij, tashti i ofronin siguri për të rindërtuar shtëpinë.
Agim Vitaku: “Nuk kam fjalë me përshkru ditën e sotit. Është një ditë me të vërtetë e lumtur që e filluan pas dhjetë viteve filluam pastrimin e gërmadhave e shtëpive tona që pushtuesi serb që na ka sjellë në këtë gjendje.”
Jo larg shtëpisë së tij serbët që janë kundër Vitakut, ishin mbledhur të protestojnë. Sidoqoftë, nuk pati të shtëna e as ndonjë formë tjetër dhune, sikur para 8 ditëve.
A ka të bëjë ky kundërshtim me inate dhe urrejtje ndëretnike. Nebojsha Miniç, njëri nga përfaqësuesit e serbëve të Kroit të Vitakut, jep përgjigje në këtë.
Nebojsha Miniç: “Po sigurisht se ashtu është, por nuk janë shkaktar të urrejtjes serbët që ka mbetur një e treta e tyre, por autoritetet qendrore në Prishtinë.”
Zyrtari i administratës së UNMIK-ut për urbanizëm, në veri të Mitrovicës, Dragan Spasojeviç, u shpreh kundër punimeve që po bëjnë shqiptarët. Sipas tij, këto ndërtime janë ilegale. Ai madje i kërcënoi pronarët shqiptarë të cilëve u janë ndërtuar shtëpitë në këtë lagje.
Dragan Spasojeviç: “Nëse në afat ligjor nuk i paraqesin kërkesat për leje ndërtimi, ato objekte do të konsiderohen si ndërtime të egra dhe kur të krijohen kushtet ato shtëpi do të largohen.”
Megjithatë, Rasim Vesel nga drejtoria për urbanizëm në komunën e Mitrovicës ka plane të tjera.
Rasim Veseli: “Ne synojmë të ndërtojmë rreth 18 shtëpi në këtë pjesë. Ndërsa koha e përfundimit do të varet edhe prej kushteve atmosferike, por nuk do të jetë e gjatë.”
Pavarësisht planeve të zyrtarëve serbë e shqiptarë, në të dyja anët e Mitrovicës, Agim Vitaku planifikon që edhe të enjten të vazhdojë me pastrimin e oborrit. Më pas ka ndërmend të fillojë me vënien e themeleve të shtëpisë./tvklan.al