Një minibus në të cilin udhëtonin disa turistë shqiptarë u përfshi në një aksident të rëndë automobilistik pasditen e kësaj të shtune në Katania të Italisë fqinje. Sipas mediave atje, ngjarja ndodhi rreth orës 16:00, në komunën e Santa Venerina.

Si pasojë e aksidentit mbetën të plagosur 16 persona, njëri prej të cilëve u dërguar me helikopter drejt spitalit. Megjithatë, fatmirësisht asnjeri prej të plagosurve nuk është në gjendje të rëndë.

Dyshohet se aksidenti ka ndodhur si pasojë e defektit të sistemit të frenave të minibusit, ku udhëtonin turistët shqiptare, duke shkaktuar përplasjen e mjetit me murin e një ndërtese.

Një reagim për ngjarjen pati edhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, e cila tha se ishte në komunikim me autoritetet italiane dhe konfirmoi se të lënduarit janë jashtë rrezikut për jetën.

“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, menjëherë pas informacionit mbi aksidentin automobilistik në Katania, është vënë në komunikim me autoritetet italiane, përmes ambasadës së RSH në Romë dhe konsullatave të RSH në Milano e Bari. Sipas informacioneve paraprake, të gjithë të lënduarit kanë marrë ndihmën e nevojshme nga autoritetet shëndetësore e janë jashtë rrezikut për jetën”, thuhet në një deklaratë për mediat.

Me porosi të Ministrit Igli Hasani, MEPJ thotë po ashtu se përfaqësuesit e ambasadës dhe konsullatave po monitorojnë situatën e janë në kontakt të vazhdueshëm me palën italiane./tvklan.al