16 personat të cilët u aksidentuan pasditen e kësaj të shtune në Katania të Italisë janë jashtë rrezikut për jetën. Ata ndodhen nën kujdesin e mjekëve, ndërsa autoritetet shqiptare u vunë menjëherë në kontakt me palën italiane. Vetë Ministri i Jashtëm Igli Hasani telefonoi një prej qytetarëve shqiptarë që ndodhej në minibus. Siç bën të ditur zyra për shtyp e ministrit, ai i siguroi për vëmendjen maksimale të autoriteteve shqiptare, sa i takon gjendjes së tyre shëndetësore.
“Pak minuta më parë Ministri Hasani ka telefonuar një prej qytetarëve shqiptarë që udhëtonin në furgonin e aksidentuar në Siçili, e të cilën ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën. Ministri është interesuar për shëndetin e tyre duke iu siguruar interesimin dhe vëmendje maksimale të autoriteteve shqiptare në bashkëpunim me ato italiane për gjendjen e tyre”, thuhet në reagim.
Më herët, Ministria e Jashtme, me anë të një deklaratë për mediat konfirmoi se 16 të plagosurit ishin jashtë rrezikut për jetën.
“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, menjëherë pas informacionit mbi aksidentin automobilistik në Katania, është vënë në komunikim me autoritetet italiane, përmes ambasadës së RSH në Romë dhe konsullatave të RSH në Milano e Bari. Sipas informacioneve paraprake, të gjithë të lënduarit kanë marrë ndihmën e nevojshme nga autoritetet shëndetësore e janë jashtë rrezikut për jetën. Me porosi të Ministrit Igli Hasani, përfaqësuesit e ambasadës dhe konsullatave po monitorojnë situatën e janë në kontakt të vazhdueshëm me palën italiane”, thuhej në deklaratë.
16 turistët shqiptarë po udhëtonin me minibus kur për shkak të një defekti në sistemin e frenave, dyshohet se shoferi humbi kontrollin mbi mjetin dhe u përplas me murin e një ndërtese./tvklan.al