Shehi: Në këtë mënyrë, maksimalizohet vota
Dhjetë muaj pasi krijuan grupimin e qendrës së djathtë, 5 parti, ajo e republikanëve, LZHK, PDK, PAA dhe PBDNJ, pjesë e koalicionit opozitar, propozojnë një formulë të re për regjistrimin si koalicione në zgjedhje.
Dokumenti që kanë lënë në tryezën e ekspertëve të opozitës, sugjeron që disa parti të regjistrohen në një sigël, në mënyrë që të maksimalizohet vota në zgjedhje. Aleati i Lulzim Bashës, Dashamir Shehi i LZHK-së sqaron se ky propozim organizon një ndarje të drejtë të mandateve brenda koalicionit.
“Duam që në Kodin e ri të ketë marrëveshje mes partive ose KQZ që çdo parti të marrë aq vota sa ka sot dhe të mos ndodhë që ato t’ia marrë një parti tjetër. Gjithësekush të ketë mundësi të marrë aq sa vota deputeti ka marrë”.
Shehi propozon kthimin në një model të ngjashëm me atë të aplikuar 10 vite më parë.
“Në 2017 s’ka pas sigël partie, këtë radhë gjykojmë të vihen emrat e partive, listat e partive si 10 vjet më pare dhe për këtë duhet të rishikohet Kodi”.
Qëllimi, sipas kreut të LZHK-së, është jo vetëm përkthimi i votave në mandate për partinë e votëbesuar nga elektorati por edhe një shpërndarje më e drejtë të votave të mbetura, brenda koalicionit. Mekanizëm ky që Shehi thotë se forcon jo vetëm opozitën, por edhe Partinë Demokratike.
“Nga 2005 partitë e vogla marrin nga pesë deputetë. Ne duan që këto 100 mijë vota të kthehen në mandate. Ne themi që po mundohemi të përmirësojmë Kodin aq sa ka marrë. Kjo është në të mirë të opozitës dhe PD”.
Ky propozim, sipas grupimit të qendrës së djathtë, ka vlerë për t’u përfshirë në ndryshimet që po i bëhen Kodit Elektoral, në kuadër të Reformës Zgjedhore që pritet të përfundojë brenda 15 Marsit.
Aktualisht, në Kodin Elektoral në nenin 163, ndarja e mandateve brenda koalicionit parashikon që numri i votave që mbeten i shkojnë partisë së dytë në koalicion.
Tv Klan