Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Aleatët e socialistëve në koalicionin qeveritar, kanë kërkuar krijimin e një shtabi të përbashkët elektoral, i cili krahas platformës elektorale, do të vendosë për listën e kandidatëve për deputet. Kjo ide nuk është kundërshtuar nga partia më e madhe në pushtet.

Arben Malaj:- “Patjetër që do të ketë një bashkëpunim, i cili do të jetë për përgjegjësi të përbashkëta. Problemi i bashkëpunimit nuk janë shifra janë parimet”.

Ndërkohë socialdemokratët dhe aleancistët, pretendojnë për disa deputetë më tepër në Qershor, si dhe për zona të lira për kandidatët e tyre.

Pavli Zëri:- “PSD synon të marri më tepër se sa mori në zgjedhjet lokale sepse e sheh veten të aftë për këtë gjë. Është një forcë e konfirmuar si forcë e tretë në Shqipëri, me potenciale shumë të mëdha për të luajtur një rol të rëndësishëm në jetën politike të vendit dhe Aleancës për Shtetin”.

Neritan Ceka:- “Aleanca Demokratike, do të ketë strategji, qoftë marrjen direkt të disa vendeve ne e dimë që kjo është e vështirë, por puna jonë kryesore është marrja e votave dhe bindja e elektoratit të votojnë për PAD, në mënyrë që të krijohet një hapësirë në qendrën e politikës shqiptare, në mënyrë që të ekuilibrohet politika shqiptare”./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame