Projektligji për mbrojtjen nga diskriminimi, vazhdon të gjenerojë debat mes hartuesve të ligjit dhe shoqërisë civile.
Ndërsa ka mbetur vetëm disa orë nga votimi i tij në kuvend, palët japin argumente dhe kundërargumente për nene të këtij ligji.
Altin Goxhaj: “Disa nga pikat më kryesore që mund t’ju them është për shembull rasti kur vendoset pabarazia e shtetasve përballë ligjit, ku në gjykatat civile një palë për shembull mund të ketë një super avokat që është komisioneri në këtë rast dhe mund të kemi përballë këtij personi tjetër një qytetar të thjesht që s’ka as avokat dot fare, s’ka para për shembull ta paguajë. Janë përjashtuar grupet, pakicat etnike, janë përjashtuar grupet moshore, janë përjashtuar të gjithë, përveç homoseksualëve, të cilët si të thuash kanë bërë një ligj ku janë kujdesur që në nene të veçanta të përjashtojnë nga e drejta e mësimdhënies për shembull një grua myslimane të veshur, por ama i lejohet një homoseksuali t’i japi mësim një fëmije 6 vjeç”.
Altin Hazizaj: “Projektligji mbron, le të themi gratë, vajzat, si ato që janë myslimane, si ato që janë katolike. Projektligji mbron të gjithë personat edhe ata që mund të kenë orientim seksual të ndryshëm dhe njëkohësisht mbron të miturit, pensionistë, pra të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë. Komisioneri merr përsipër që e para të vihet në dijeni nëpërmjet një ankese dhe këtë dua ta bëj shumë të qartë, pra komisioneri nuk mund të veprojë me fuqi të jashtëzakonshme, por duhet që dikush që beson që është diskriminuar të ankohet pranë komisionerit.”
Projektligji për mbrojtjen nga diskriminimi duhet të marrë 71 vota pro, për tu vënë më pas në zbatim./tvklan.al
Gazetare: Brunilda Cami