Ambasadori amerikan në Tiranë Withers i bëri thirrje publike elitës politike shqiptare, që të ndryshojë ligjin për imunitetin në mënyrë që politikanët të japin llogari përpara ligjit ashtu si edhe qytetarët.

John Withers: “Një nga mënyrat e drejtpërdrejta dhe konkrete se si elita politike duhet të luftojë korrupsionin është përmes ndryshimit të ligjit për imunitetet. Kjo duhet bërë me qëllim që politikanët apo zyrtarët e lartë të hetohen dhe të shkojnë në gjykatë njësoj si qytetarët e thjeshtë.”

Withers e bëri këtë apel gjatë prezantimit të një sondazhi mbi korrupsionin ku rezulton se shqiptarët mendojnë se në vitin 2008 korrupsioni është 13% më i lartë se në vitin 2006. 

John Withers: “Elita politike në këtë vend duhet të marrë flamurin e luftës faktike kundër korrupsionit dhe jo të mbetet vetëm tek fjalimet e fjalët. Kjo duhet bërë nga të gjithë politikanët pavarësisht nëse janë në mazhorancë apo opozitë. Udhëheqësit politikë duhet të denoncojnë rastet e korrupsionit kur këto bëhen nga kolegët e tyre. Nuk duhet të përdorim pushtetin për të ndryshuar rrjedhën e një procesi gjyqësor.”

Sondazhi i kryer nga shoqata IDRA, ka anketuar rreth 1200 qytetarë dhe rreth 600 punonjës nga sektori publik. Më shumë të korruptuar rezultojnë të jenë doganierët, mjekët, punonjësit e taksave, si dhe deputetët dhe ministrat. Ndërsa më pak të prekur nga korrupsioni janë drejtuesit fetarë, ushtarakët, media, mësuesit si dhe presidenti.

Ryshfeti më i përhapur mbetet në shëndetësi, por problematik është edhe ai në radhë të uniformave blu. Sipas sondazhit media mbetet burimi i vetëm i transparencës ndaj korrupsionit, transparencë që nuk është në nivelin e duhur tek qeveria dhe parlamenti./tvklan.al