Ambasadori i Komisionit Evropian në Tiranë Helmuth Lohan ka deklaruar se reforma në drejtësi duhet t’i nënshtrohet një debati të gjerë. Gjatë prezantimit të fillimit të punës të misionit të Euralius II, Lohan tha se konsensusi politik nuk është i mjaftueshëm për miratimin e ligjeve të rëndësishme.

Helmuth Lohan: “Hapi i parë për reformën në drejtësi është hedhur me miratimin me konsensus të ligjit për sistemin gjyqësor. Marrëveshjet politike në fushën e drejtësisë nuk ndihmojnë reformat në këtë sektor. Është mirë që të miratohen ligje që fillimisht kalojnë në një debat të gjerë dhe gjithëpërfshirës. Nga ana tjetër legjislacioni nuk duhet të jetë i mirë vetëm në letër,por duhet zbatuar.”

Ndërkaq përfaqësuesit e institucioneve shqiptare, nën kryetari i KDL Kreshnik Spahiu dhe ministri i drejtësisë Enkelejd Alibeaj gjatë fjalës së tyre u shprehën të vendosur për të vazhduar reformat në sistemin e drejtësisë.

KE do të ofrojë rreth 4.5 milion euro për misionin e ri Euralius gjatë asistencës ligjore që do të ofrohet për një periudhë 30 mujore./tvklan.al

Gazetar: Edian Gjoni