Ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi është ndalur në disa komuna të rrethit të Fierit ku është takuar me banorë të zonës dhe autoritetet vendore. Ky është një bashkëbisedim me qytetarët si për arritjet ashtu dhe për bilancin e asaj që kemi bërë në 4 vjet është shprehur Olldashi në takimin me banorë të komunës Frakull. Sipas tij investimet e premtuara nga qeveria për më shumë shkolla, rrugë dhe kopshte, kanë tejkaluar disa herë ato të qeverive socialiste.

Sokol Olldashi: “Premtuam investime, mjafton të themi që investimet janë të paktën 10-fish më të larta. Janë të tilla në rrugë ku socialistët në vitin më të mirë të tyre kanë investuar 110 milion dollar, ndërkohë që ne në vitin 2008 kemi investuar 1.2 miliard. Kemi 3 vjet në pushtet që bëjnë 1000 e ca ditë dhe i kemi dhënë këtij vendi 1012 shkolla të reja apo të rikonstruktuara. Pra i bie një mesatare një shkollë në një ditë e pak.”

Duke iu referuar  anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, Olldashi u shpreh se faktor vendimtar ishin reformat e ndërmarra nga qeveria dhe mbështetja që qytetarët shqiptarë i dhanë kësaj politike

Sokol Olldashi: “Më shumë se sa kaq kemi arritur atë që e festuam të gjithë bashkë. Kemi arritur brenda 3 vitesh të marrim ftesën për në NATO, të ratifikojmë nga parlamentet e të gjithë vendeve anëtare dhe përfundimisht 2 ditë më parë të rreshtohemi me 28 kombet më të fuqishme më të lira dhe më të begata të botës.”

Në takimet me banorë të komunës Portës dhe Kuman, ministri i Punëve Publike nuk harroi të atakojë kryetarin socialist Edi Rama, për politikën e shpifjeve që sipas tij kryebashkiaku ka në themel të programit të tij. Olldashi tha se kryebashkiaku i Tiranës dha 30 leje ndërtimi për Delijorgjin, ndërkohë që mban peng rikonstruksionin e disa shkollave si dhe të unazës së madhe./tvklan.al