Presidenti i Republikës ka dekoruar me titullin “Nderi i Kombit” komunën Postribë të rrethit të Shkodrës, ku 62 vjet më parë regjimi komunist pushkatoi 18 burra e gra me akuzën e përmbysje së pushtetit popullor.
I shoqëruar nga kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli dhe deputetët të parlamentit, kreu i shtetit ka vlerësuar lart rëndësinë e kësaj ngjarje, duke u shprehur se është i domosdoshëm rileximi i paanshëm dhe jo ideologjik i historisë dhe i figurave të saj.
Bamir Topi: “Ne duhet t’i shmangemi leximit të njëanshëm dhe ideologjik të historisë dhe mbulimit të saj nga pluhuri i harresës. Dënimi i krimeve të komunizmit nuk duhet të mbetet pronë e retorikës politike, por duhet të merret me thelbin e problemit, pra me zbardhjen e këtij krimi dhe një akt i tillë do të pastronte dhe humanizonte tërë shoqërinë.”
Në fjalën e saj kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli u shpreh se dënimi i krimeve të komunizmit do të konkretizohet me nisma ligjore në parlament. Sipas saj ideali i 18 martirëve të Postribës u realizua me hyrjen e Shqipërisë në NATO.
Jozefina Topalli: “Është shumë e rëndësishme dënimi i komunizmit. Dënimi i komunizmit është gjëja më e rëndësishme për tu ndarë nga e kaluara. Ne do ta bëjmë atë do ta bëjmë atë me ligjin e pastërtisë së figurave, por do ta bëjmë më shumë aktivitete të tjera. Në parlament në sallën e parlamentit do të krijoj një muze tjetër, që do jetë muzeu i krimeve të komunizmit.”
Titulli i larë Nderi i kombit iu dorëzua kryetarit të komunës Postribë. Ku më 9 shtator të vitit 1946, 18 burra e gra u pushkatuan, ndër të cilët edhe xhaxhai i kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli, Mikel Çoba./tvklan.al