Presidenti i Republikës ka dekoruar me titull “Nderi i Kombit” komunën Postribë të rrethit të Shkodrës, ku 62 vjet më parë 18 burra u pushkatuan nga regjimi komunist, me akuzën e kryengritjes së armatosur.

I shoqëruar nga kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli dhe deputetët të parlamentit, kreu i shtetit ka vlerësuar rëndësinë e kësaj ngjarje, duke u shprehur se është i domosdoshëm rishikimi i historisë dhe i figurave të saj.

Bamir Topi: “Ne duhet t’i shmangemi leximit të njëanshëm dhe ideologjik të historisë dhe mbulimit të saj nga pluhuri i harresës. Dënimi i krimeve të komunizmit nuk duhet të mbetet pronë e retorikës politike, por duhet të merret me thelbin e problemit, pra me zbardhjen e këtij krimi dhe një akt i tillë do të pastronte dhe humanizonte të tërë shoqërinë.”

Në fjalën e saj kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli u shpreh se dënimi i krimeve të komunizmit do të konkretizohet me nisma ligjore në parlament. Sipas saj ideali i 18 martirëve të Postribës, u realizua me hyrjen e Shqipërisë në NATO.

Jozefina Topalli: “Është shumë e rëndësishme dënimi i komunizmit. Dënimi i komunizmit është gjëja më e rëndësishme për t’u ndarë nga e kaluara. Ne do ta bëjmë atë do ta bëjmë atë me ligjin e pastërtisë së figurave, por do ta bëjmë më shumë aktivitete të tjera. Në parlament në sallën e parlamentit do të krijojë një muze tjetër, që do jetë muzeu i krimeve të komunizmit.”

Titulli i larë Nderi i kombit iu dorëzua kryetarit të komunës Postribë. Kryengritja e Postribës njihet si lëvizja e parë antikomuniste pas viteve të luftës./tvklan.al

Gazetar: Simon Shkreli