Dy ditë pas incidentit me deputetin socialist Taulant Balla, kryeministri Sali Berisha ka akuzuar në mënyrë të drejtpërdrejtë kryetarin socialist Edi Rama, si nxitësin dhe provokatorin e asaj që ndodhi në sallën e Kuvendit.
Duke folur gjatë miratimit të buxhetit suplementar, kryeministri u ka dhënë përgjigje të gjitha deklaratave që përfaqësuesit e opozitës bën në seancën e të enjtes, por edhe gjatë këtyre lidhur me këtë ngjarje.
Sali Berisha: “Unë nuk shpërblej provokatorë kurrë, hiqeni nga mendja. Provokatori përbën më të urryerin e të gjitha specieve. Ai që merr sipër të provokojë dhe e di që ka një rrethanë që mund ta bëjë, ai përbën një fëlliqësirë të vërtetë njerëzore. Po i them Edi Ramës këtu nga kjo sallë, lëri mesazhet e turpshme dhe letrat e hapura, se unë kam 20 vjet në këtë politikë. Dhe unë i bindur të jesh ti, të jetë ai se mund shërbehet me dy mercenarë, mund të shërbehet normale, a kupton apo jo, por asgjë nuk i atribuoj askujt përveç atij.”
Por nga ana tjetër përfaqësuesit e opozitës kanë akuzuar kryeministrin për deklarata jashtë etikës. Ndërsa kryeparlamentaren Topalli për drejtim të papërgjegjshëm të seancës.
Valentina Leskaj: “Më vjen keq që në këtë situatë është edhe një grua që drejton parlamentin. Sot e kuptoj se pse zoti Braçe është vënë në pozitë të vështirë saqë detyrohet të shajë, të fyej, i japë përgjigje edhe grave që pretendojnë se drejtojnë parlamentin.”
Ilir Meta: “Unë asnjëherë nuk jam marrë me familjen e zotit Berisha dhe me familjen e asnjë politikani sepse nuk është në karakterin dhe natyrën time jo vetëm si politikan, por edhe si njeri. Ky kryeministri këtu fliste për gratë e kryeministrave të tjerë, për djemtë e për vajzat e ministrave. I kishte lidhur më të gjitha fijet e trafikut ndërkombëtar dhe sot nuk asnjë fakt dhe asnjë provë.”
Kryeministri Berisha dhe deputeti socialist Taulant Balla shkëmbyen replika të forta duke përmendur dhe familjarët e njëri-tjetrit në seancën e së hënës, kur në parlament diskutohej në parim buxheti suplementar.
Pas kësaj byroja parlamentare vendosi përjashtimin për dy javë nga punimet e Kuvendit të deputetit Balla për shkelje të etikës parlamentare./tvklan.al
Gazetare: Anila Rama