Meri Kumbe, ambasadorja shqiptare në Tel Aviv, në një intervistë për edicionin e lajmeve në Tv Klan, foli për përjetimin që pati ky shtet nga sulmet e paralajmëruara iraniane.

Sipas saj, në asnjë moment nuk ka pasur panik dhe autoritetet izraelite e kanë menaxhuar situatën me shumë qetësi.

Situata është e qetë në vend. Ka qenë edhe dje në fakt ashtu. Nëse do të ishit në rrugët e Tel Avivit, njerëzit ishin të qetë, zhvillonin aktivitetin e tyre lirshëm. Padyshim dje ishte paralajmëruar risku dhe njerëzit ishin në pritje të udhëzimeve të cilat erdhën në mbrëmje vonë, duke siguruar qytetarët të ishin të qetë, por pranë dhomave të sigurisë. Ishin momentet e para që Izraeli nuk e dinte se si do të zhvillohej sulmi nga Irani. Nuk dinte ende sa do të ishte sulmi. Ishin të gjithë strukturat në pritje”.

Kumbe gjithsesi thotë se nata nuk ka kaluar pa tension kur të gjithë qytetarët i panë sulmet nëpërmjet ekraneve të televizioneve.

Mbrëmja ishte e gjatë për ne këtu. Të shumtë qytetarët që e kanë ndjekur zgjuar të gjithë aktivitetin ushtarak që ndodhi mbi hapësirën ajrore të Izraelit, por falë zotit çdo gjë shkoi mirë pa humbje jetësh”.

Ambasadorja pohon se gjithsesi ditën e sotme të gjithë i janë kthyer jetës normale.

I është rikthyer funksionit të plotë. Udhëzimet e insititucionit të sigurisë që zbaton dhe udhëzon qytetarët për rregullat që duhet të ndjekin ka qenë pa asnjë kufizim. I vetmi përjashtim është bërë për institucionet arsimore për ditën e sotme dhe të nesërme”.

Ambasadorja pranon se si pasojë e kësaj situate u deshën të mbylleshin edhe aeroportet, çka bëri që një pjesë e udhëtimeve edhe për shqiptarët të zhvendoseshin. Megjithatë ajo thotë se nuk do të ketë evakuime.

“Jo jo absolutisht! Situata paraqitet e qetë. Termi evakuim do të ishte i përdorshëm siç ndodhi me datën 7 Tetor kur vendi ishte jo vetëm në sulm raketash, por edhe me kërcënim të terroristëve në teren ç’ka rrezikonte jetën e qytetarëve. Në rastin konkret Izraeli gjendjen e jashtëzakonshme e kishte vetëm për mbrëmjen, pra për dy ditën që i kanë të deklaruara me deklarata publike. Tani që mbaroi sulmi situata është rikthyer në normalitet”.

Tv Klan