E gjithë Amerika e Veriut, nga Meksika në Kanada, u ndal të martën për disa orë për të admiruar eklipsin e plotë diellor, i pari i shekullit që kaloi të tre vendet, pas atij të vitit 2017 që errësoi kryesisht Shtetet e Bashkuara.
Shkollat nuk zhvilluan mësim në mënyrë që nxënësit të shijonin së bashku me prindërit këtë ngjarje të rrallë qiellore, ndërsa një pjesë e stadiumeve, por edhe e parqeve u mbushën plot me njerëz për të shijuar spektaklin e eklipsit.
Pasi kaloi në Paqësor, eklipsi i plotë preku për herë të parë tokën rreth orës 11:00 me orën lokale në qytetin Mazatlan në Meksikë, ku dita u bë natë, ndërsa turmat shpërthyen në brohoritje dhe duartrokitje kur hëna mbuloi plotësisht diellin.
Më pas eklipsi kaloi kufirin meksikan dhe mbërriti në Teksas në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku retë e lehta nuk e prishën magjinë për shumë njerëz që kishin mbushur kampin e Arlingtonit.
Ndërsa në Indinapolis mijëra qytetarë mbushën stadiumin dhe pistën e famshme të garave të makinave për të shijuar eklipsin diellor, ndonëse tek ta ai ishte i pjesshëm.
Më me fat ishin disa dhjetëra pasagjerë të dy avionëve Delta të cilët kryen fluturime të posaçme përgjatë shtegut ku kaloi eklipsi nëpër SHBA ose njohur ndryshe edhe si “Rruga e Tërësisë”.
Pasi kaloi në disa shtete amerikane, eklipsi u zhvendos në Kanada dhe për të përfunduar më pas në brigjet e Atlantikut.
Mediat amerikane raportojnë se përafërsisht pesë milionë njerëz mendohet se kanë udhëtuar në zonat ku mund të shihej eklipsi total, ndërsa mbi 32 milionë njerëz të tjerë në Meksikë, SHBA dhe Kanada patën mundësinë të shijonin eklipsin i cili në total zgjati rreth 4 orë, duke rrugëtuar nëpër kontinent.
Ndër personat që ndoqën me kuriozitet këtë ngjarje ishin edhe presidenti Joe Biden, udhëheqësi i shumicës në Senatin amerikan, Chuck Schumer, si kryeministri kanadez, Justin Trudeau.
Tv Klan