Kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike do të nisin të shpërndahen në fillimin e vitit të ardhshëm. Ministri i Brendshëm Bujar Nishani bën të ditur këtë lajm, duke hedhur poshtë në njëfarë mënyrë dhe akuzat e opozitës se shtetasit shqiptar nuk do të mund të pajisen me këto mjete identifikimi përpara zgjedhjeve të 2009.
Bujar Nishani: “Jam plotësisht i bindur, por dhe shumë optimist edhe procedura që ka ecur pas nënshkrimit të kontratës, është dinamikë optimiste dhe besoj që në janarin e fillimit të vitit 2009 do të jemi të gatshëm për të filluar prodhimin dhe shpërndarjen e letërnjoftimeve elektronike.”
Në një analizë të detajuar të punës së policisë së shtetit në 7 muajt e parë të këtij viti. Ministri Nishani ka ngritur dhe shqetësimin për vendimet skandaloze, siç i quajti ai dënimet e ulëta të gjykatave shqiptare për bandat kriminale apo autorët e krimeve të rënda. Zgjidhjen për të ndryshuar këtë realitet, Nishani e sheh vetëm tek reforma në drejtësi.
Bujar Nishani: “Reforma në drejtësi do të bëjë të mundur reduktimin maksimal të këtyre fenomeneve se vërtetë unë gjykoj që nëse një akt kriminal i identifikuar, i goditur për një kohë të gjatë nga strukturat e policisë. Të neglizhohet më pas me dënime jo normale dhe jo serioze nga trupa gjykuese. ky sjell pastaj dekurajimin e goditjes së krimit në faza të mëtejshme.”
Pas operacioneve të një pas njëshme për sekuestrimin e lëndëve narkotike, ministri Nishani ka pranuar se Lazarati apo edhe zona të tjera të vendit të njohura si baza të kultivimit të kanabisit nuk mund të cilësohen ende të pastra.
Bujar Nishani: “Kurrsesi në nuk mund ta konsiderojmë të pastër, jam i informuar që strukturat e policisë së shtetit janë duke kryer investigime të detajuara, për të realizuar operacione tjera për të goditur kultivimin e kanabisit dhe ato të tjera.”
Në analizën e gjatë të 7 mujorit të punës së ministrisë Nishani dha shifra të detajuara për operacionet e kryera nga uniformat blu, për goditjen e bandave kriminale, krimin e organizuar, operacionet antidrogë apo dhe ato të strukturave të krimit ekonomik dhe antikorrupsionit. /tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka