Qeveria shprehet optimiste në lidhje me rritjen e nivelit të kreditimit të ekonomisë nga banka tregtare në vend, çka përbën një lajm pozitiv në kushtet e një krize globale. Ministri i Financave Ridvan Bode gjatë intervistës vjetore, tha se qeveria po u plotëson nevojën për hua nga bankat e huaja duke u dhënë mundësi bankave vendase për kreditim më të mirë të ekonomisë.
Ridvan Bode: “Po bëjmë një përpjekje ekstreme për të mos dëmtuar tregun e brendshëm financiar, pra që borxhin që kemi për të marrë për vitin 2009 mos ta marrim nga bankat shqiptare, po bankat t’i lëmë në dispozicion të kreditimit të ekonomisë dhe kushtet e mira na kanë bërë që të na ofrojnë rreth 300 milion euro nga tregu ndërkombëtar. Do mbajmë të lartë kërkesën përmes një vëllimi tepër të lartë të investimeve publike dhe do t’i krijojmë besim të plotë depozituesit shqiptar që euron ta depozitojë në Shqipëri e jo në vende të tjera.”
Numri një i financave nuk e shprehu efektin e krizës ekonomike në disa degë të eksporteve shqiptare.
Ridvan Bode: “Ne jemi duke ndjekur kush janë fushat në të cilat mund të impaktohet ekonomia shqiptare. Sigurisht eksporti i mineraleve përbën një problem sepse tregu ndërkombëtar ka mbyllur kërkesën. Të gjitha këto rrënjët e eksporteve të mundshme duket se do të kompensohen në mënyrë të mjaftueshme nga rritja e eksportit të energjisë elektrike për vitin 2009. Se jo të gjithë të këqijat vijnë për qeverinë e dini ju.”
Mes të tjerash gatë analizës vjetore, ministri nxori në pah rritjen e të ardhurave gjatë 2008 dhe ritmin e realizimit të investimeve.
Ridvan Bode: “Në vitin ku ulëm në minimum nivelin e taksave patëm ritmin më të lartë të rritjes së të ardhurave në buxhet, të ardhurat në buxhetin e shtetit u realizuan në masën 290 miliard lekë të reja, diçka më shuam se 3 miliard dollarë. Në tërësinë e tyre pra investimet publike janë realizuar në masën 98%.”
Për ministrin Bode pavarësisht problemeve financiare në tregjet ndërkombëtare situata makroekonomike në vend gjatë 2008 ka qenë e favorshme, teksa u regjistrua rritja më e madhe ekono0mike gjatë dekadës së fundit./tvklan.al
Gazetar: Fjorald Zguro