Menjëherë pas rizgjedhjes për një mandat të ri pesëvjeçar Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka vendosur të mbledhë udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në këtë takim që do të mbahet më 19 shtator në Bruksel do të jetë i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama.
Von der Leyen kërkon të dëshmojë se edhe në mandatin e ri, do t’i kushtojë kujdes të veçantë Ballkanit Perëndimor dhe në përgjithësi procesit të zgjerimit të BE-së.
Megjithatë, sipas radios Evropa e Lirë, qëllim kryesor i këtij takimi është diskutimi për “agjendat e reformave dhe rritjes”, të cilat gati të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor i kanë dorëzuar në Komisionin Evropian, si parakusht për të pranuar pagesat e para nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i miratuar nga BE-ja në maj të këtij viti.
Sipas burimeve në BE, takimi i von der Leyenit me udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor do të jetë një rast i mirë për të parë se ku kanë arritur këto vende me përgatitjet e tyre për t’i realizuar qëllimet e këtij plani.
Pesë vende të rajonit kanë dorëzuar tashmë këto plane, përveç Bosnje e Hercegovinës, e cila për shkaqe të brendshme politike, nuk e ka bërë ende. Pritej që Komisioni Evropian t’i miratonte këto agjenda të vendeve të rajonit para datës 19, por me sa duket procesi është shtyrë për muajin tetor.
Llogaritja për shumën financiare që do t’i takojë secilit vend, është bërë në bazë të Produktit të Brendshëm Bruto, numrit të banorëve dhe disa kritereve të tjera. Por, gjatë prezantimit të këtij plani, vendeve të rajonit u është thënë qartë se nëse nuk i kryejnë reformat pas një apo dy vjetësh, atëherë shuma do t’u shpërndahet vendeve tjera.
Përmes Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, Bashkimi Evropian planifikon të ndajë rreth 6 miliardë euro për vendet e këtij rajoni në periudhën prej vitit 2024 deri në vitin 2027. Përfituese të këtyre mjeteve janë: Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnje e Hercegovina dhe Serbia.
Prej kësaj shume, dy miliardë do të jenë grante nga BE-ja pa kthim, ndërsa pjesa tjetër në formën e kredive të favorshme. Qëllimi është që të ndihmohet rritja ekonomike dhe, në këtë mënyrë, të përshpejtohet edhe procesi i integrimit evropian të këtij rajoni.
Klan News