Në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të shteteve pjesë të Nismës së Evropës Qendrore, kryediplomati Hasani deklaroi se Shqipëria është e angazhuar që të vazhdojë të hapë kapituj të rinj me Bashkimin Evropian deri në fund të këtij viti dhe po kështu edhe në vitin e ardhshëm.

“Shqipëria ka hedhur hapa në rrugën e saj drejt anëtarësimit. Në Tetor çeli me sukses grup-kapitullin e parë të negociatave që mbulon çështjet thelbësore dhe përfshin po kështu edhe 5 kapituj në piketat që duhet të ndjekë, duke u bashkuar, apo duke ndjekur Malin e Zi dhe duke qenë vendi i tretë në Ballkanin Perëndimor që hap grup-kapituj dhe jemi të angazhuar që të vazhdojmë në këtë rrugë, për të hapur kapituj të rinj deri në fund të këtij viti dhe po kështu edhe në vitin e ardhshëm.”

Hasani u shpreh entuziast edhe per rezultatet e shteteve te tjera kandidate.

“Mirëpresim me ngrohtësi vendimin e Këshillit Evropian për të çelur bisedimet e anëtarësimit për Ukrainën, Bosnjë-Hercegovinën dhe Moldavinë. Besojmë fort që këto vendime përçojnë një sinjal të fortë për angazhimin e Evropës ndaj fqinjëve të saj. Mbështetja jonë kolektive për integrimin evropian për Ballkanin Perëndimor mbetet një element thelbësor për të siguruar besueshmërinë e procesit të zgjerimit dhe për të ruajtur këtë mbështetje popullore në rajon. Duhet që të punojmë së bashku për të parandaluar lodhjen nga zgjerimi dhe të sigurojmë që procesi i zgjerimit të mbetet në drejtimin e duhur e gjithëpërfshirës për të gjitha vendet kandidate.”

Këto deklarata u bënë gjatë takimit të Ministrave të Punëve të Jashtme të Nismës së Evropës Qendrore (CEI), në Tiranë, ku Shqipëria kishte presidencën e radhës në këtë nisëm. Presidenca e CEI për vitin 2025 i kaloi Serbisë.

Klan News