Projekti urbanistik për Parkun Kombëtar të Tiranës dhe zonës së re kreative nga hotel “Dajti” deri te Parlamenti do të bëhet nga të rinjtë arkitektë e urbanistë, vendas e të huaj. Instituti Belgrade i Roterdamit i njohur për studimet pasuniversitare të të rinjve nga fusha e arkitekturës dhe një pjesë studentësh shqiptarë nga kjo degë do të punojnë për 5 javë bashkë për të sjellë projektet e dy parqeve në kryeqytet. Studimi ka në thelb përtëritjen e hapësirave publike të degarduara dhe të shkëputura nga njëra-tjetra.
Edi Rama: “Dy projekte, të cilat do të kalojnë pastaj në Këshillin e Rregullimit të Territorit dhe do të kthehen në projekte për zbatim në vitin e ardhshëm duke bërë të mundur kështu realizimin për të gjithë qytetarët të dy parqeve të rindërtuara dhe të rihabilituara. Paralelisht me këtë do të punojmë edhe për projketin e parkut të ri qendror i cili buron si alernativë reale nga studimi tashmë i miratuar i qendrës së Tiranës kryer prej studios franceze “Architecture Studio”. Parku qëndror nënkupton krijimin e një hapësire të gjelbër e të vazhdueshme që do të bashkojë të gjithë ishujt e gjelbër të qendrës së Tiranës.”
Akademia Verore, e hapur nga Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me GTZ-në dhe qeverinë gjermane, do të jetë një institucion i përvitshëm. Rezultatet do të bëhen publike në shtator e angazhimi i të rinjve në projekte të tillla jep siguri dhe investim të dukshëm në vendin e tyre. /tvklan.al