Shërbimi onkologjik në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza, është pajisur me një aparaturë të re kobalti dhe një aparaturë për kancerin gjinekologjik.

Gjatë inaugurimit Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, u shpreh se investimi në këtë shërbim me vlerë 1 milion dollarë është bërë nga qeveria shqiptare në bashkëpunim me agjencinë atomike të kancerit.

Anila Godo: “Flitet për një aparaturë të re të kobaltit që ka një kosto rreth 150 mijë dollarë. Është një aparaturë, e cila do të sjellë një performancë më të lartë në radioterapinë e pacientëve onkologjikë dhe e cila premton pra një eficencë më të lartë dhe një dëm indor më të paktë. Aparaturë tjetër, aparaturën e brakiterapisë, e cila përdoret kryesisht për kancerin gjinekologjik do të thoja dhe që gjithashtu është ndër fjalët e fundit të shkencës.”

E vetmja aparaturë që mungon në shërbimin onkologjik dhe që do të jetë aty brenda këtij viti, është akseleratori, i cili do të kompletonte  përfundimisht shërbimin e radioterapisë.

Anila Godo: “Nga qeveria janë dhënë paratë për blerjen e akseleratorit, pra bën pjesë në buxhetin e shtetit i cili do të kompletojë dhe do të vërë tamam në standardin e kërkuar evropian shërbimin e radioterapisë brenda shërbimit të onkologjisë”.

Agim Sallaku: “Rreth 1 mijë pacientë që ne trajtojmë mund të arrijmë në 2 mijë pacientë dhe me instalimin e akseleratorit, e cila në mënyrë definitive e mbyll hallkën e radioterapisë të një strukture absolutisht moderne perëndimore, mendoj që performanca jonë rritet jashtë mase dhe sektori i radioterapisë përfiton dhe do të rrisë kualitetin”.

Drejtoresha e Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza, Gjeorgjina Kuli, deklaroi se tenderi për akseleratorin dhe bunkerin do të mund të zhvillohet brenda këtij muaji./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami