Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, gjatë vizitës që ka zhvilluar në spitalin e qytetit të Lushnjës ka kërkuar menaxhim të mirë të parave që do t’u besohen spitaleve rajonale në buxhetin e vitit 2009.

Godo tha se ky është një konkretizim i reformës që do të thotë marrje e përgjegjësive për të prokuruar tendera për medikamente.

Anila Godo: “Ajo që ju takon juve si spital do t’u jepet dhe në spitalet tuaja do të kryhen të gjitha proceset e tenderimit dhe prokurimit. Kemi arritur në përfundimin që nëse paraja i shkon secilit më vete ajo do të menaxhohet më mirë.”

Në këtë kuadër Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, ka vënë theksin në nevojën e një përgatitje që spitali i Lushnjës dhe të tjerë në këtë skemë duhet të bëjnë për të qenë gati për të bërë prokurimet.

Anila Godo: “Ju duhet të jeni të përgatitur që në 1 Janar, në 5 Janar me ndarjen e buxhetit ju do të keni buxhetin tuaj dhe hapi i parë është që buxheti juaj do të jetë për të gjitha medikamentet dhe materialet e konsumit, qoftë kjo juridikale, qoftë materialet e konsumit laboratorik. Do të planifikohen dhe të gjitha tenderët dhe prokurorimet do të bëhen nga ana juaj”.

Viti 2009 do të shërbejë si një fazë e parë e besimit për spitalet rajonale, të cilat do të prokurojnë vetë. Ata do të prokurojnë së pari medikamente dhe më pas pajisje./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle