Gjykata e Apelit në Durrës, ka vendosur të enjten për shtetasin turk Muhammet Yasir Aydoğmuş, masën “arrest me burg”, me qëllim ekstradimi.
Seanca ndaj Aydoğmuş, i cili kërkohet nga autoritete turke për “lidhje me organizatë terroriste”, është zhvilluar në Gjykatën e Apelit në Durrës, pas kërkesës së Prokurorisë së Durrësit.
“Gjykata e Apelit Durrës vendosi miratimin e vendimit nr. 564 (11-2017-5088) datë 13.10.2017 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës persa i përket vlerësimit të ligjshëm të arrestit të kryer për shtetasin Muhammet Yasir Aydogmus (Muhammet Yasir Aydoğmuş) për efekt të urdhër arrestit ndërkombëtar dërguar nga Interpol Ankara. Ndryshimin e vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës për pjesën tjetër si vijon: Caktimin e masës se sigurimit për shtetasin turk Muhammet Yasir Aydogmus atë të ‘arrestit me burg’ me qellim ekstradimi’
“, ka konfirmuar zyrtarisht për AA Gjykata e Apelit Durrës.
Kujtojmë se Policia e Durrësit ndaloi më 8 tetor (data sipas policisë), shtetasin në fjalë së bashku me bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij, në tentativë për të kaluar kufirin me pasaportë të falsifikuar. Personi në fjalë rezulton të jetë i shpallur në kërkim ndërkombëtar, i cili kërkohet nga autoritetet turke për “lidhje me organizatë terroriste”. Ndërkohë sipas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë në Durrës, ai “ka pranuar faktin se ka falsifikuar të 4 pasaportat për të gjithë anëtarët e familjes së tij.”
Aydoğmuş rezulton të ketë kërkuar azil politik në Shqipëri, ndërsa kërkesa në fjalë është konfirmuar nëpërmjet vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, marrë më datë 13 tetor, që vendosi lirimin e tij, vendim që është siguruar nga AA.
Autoritetet shqiptare kanë konfirmuar se pas arrestimit fillimisht në Durrës, bashkëshortja e shtetasit turk bashkë me fëmijët u dërguan në Qendra Kombëtare Pritëse për të Huajt në Babrru të Tiranës, dhe ku duhej të qëndrojnë aty deri në përfundim të procedurave ndaj saj.
Ndërsa nga Policia e Durrësit kanë konfirmuar se pritet të zbardhet vendimi i gjykatës, për të vazhduar me procedurat e tjera, ku sipas vendimit ai duhet të dërgohet në paraburgim.
Personi në fjalë supozohet të jetë nga një ekip “trollësh” në internet i cili ka siguruar informata për “Fuat Avni” të organizatës terroriste FETO në Twitter, që vitin e kaluar ishte zbuluar nga Kryeprokuroria Publike e Stambollit.
/Anadolu