Të gjithë maturantët të cilët duan të aplikojnë për në shkollat e larta për në Shqipëri, por që kanë mbaruar arsimin e mesëm jashtë vendit duhet që më parë të njehsojnë dëftesën e pjekurisë dhe më pas i nënshtrohen provimeve me zgjedhje.

Sipas udhëzimit të ministrisë së arsimit do të ngrihet një komision i posaçëm për të gjitha këto raste, i cili do të përllogariste notën mesatare të shkollimit dhe notën e provimeve të detyruara D1 dhe D2. Këta maturantë duhet që të plotësojnë dhe formularin A2 përpara datës 30 qershor.

Fatmir Vejsiu: “Së pari që maturanti të kërkonte të aplikonte për shkollat e larta në Shqipëri duhet të ketë marrë dëftesën e pjekurisë ose e barasvlershme me dëftesën tonë të pjekurisë. Përveç faktit që kjo dëftesë do duhet të ekuivalentohet në ministrinë e Arsimit nga e cila do të dali nota mesatare dhe provimet e detyruara. Atëherë nxënësi është i detyruar që krahas këtyre të bëjë regjistrimin, dëftesën origjinale.”

Maturantët të cilët kanë përfunduar shkollën e mesme jashtë vendit dhe do të vazhdojnë studimet për në akademinë e arteve të bukura ose në akademinë e edukimit fizik dhe sportiv. Mund të konkurrojnë në këto degë duke bërë vetëm njehsimin e diplomës pa qenë të detyruar të japin provimet e lëndëve me zgjedhje./tvklan.al