Vendet e mbetura bosh pas përfundimit të fazës së parë të regjistrimit të maturantëve fitues në shkollat e larta do të plotësohen me anë të formularit A3, i cili sipas specialistëve të Ministrisë së Arsimit është një domosdoshmëri.
Fatmir Vejsiu: “Pasditeve të para sipas kuotave të merituara nga këshilli i ministrave çdo fakultet mbush vendet bosh me emrat e nxënësve sipas meritës dhe preferencës së tyre. Mund të ndodhë që në këto lista të para nxënës ikin jashtë shtetit, nuk ndodh rrallë, nxënës të kalojnë të shkolla jo publike. Nuk ndodh dhe kjo rrallë. Nxënës që për motive nga më të ndryshmet mund të mos shkojnë në atë drejtim që i ka dalë në listën e parë, atëherë krijon vendet bosh. Vendet bosh nuk mbushen më me lista të nxënësve kështu apriori, por fillon ngjitja sipas preferencave”.
Por kush do të ketë mundësi për të plotësuar këtë formular?
Fatmir Vejsiu: “E plotëson ai që nuk ka përfituar preferencën më të parë të tij, pra mund të ndodhë që të jetë në preferencën e dhjetë dhe ai kandidon, dmth, aplikon përsëri për preferencën para të dhjetës brenda listës që ka pasur ose duke shtuar lista të tjera.”
Formulari A3 do të jetë në duart e maturantëve kandidatë për studentë pas përfundimit të regjistrimit të fituesve të fazës së parë.
Fatmir Vejsiu: “Rreth datës 15 Shtator do publikohen listat e para të kandidatëve për shkollat e larta dhe pas saj kërkohet regjistrimi i këtyre nxënësve në një afat 1-javor dhe kur mbyllet kjo procedurë, pra regjistrimi i nxënësve atëherë fakultetet sjellin mosrealizimet. Në kohën që Ministria e Arsimit ka në dorë mosrealizimet në degë të veçanta fillon hartimi i formularit A3, dërgimin nëpër shkolla, plotësimin e nxënësve”.
Por pas formularit A3 ndodh të ketë sërish vende bosh, ndaj Ministria e Arsimit ka menduar për një tjetër formular, formularin A4./tvklan.al
Gazetare: Brunilda Cami